Sport, Koronavirusi

Kryeministri japonez paralajmëron shtyrjen e Lojërave Olimpike

Japonia është caktuar si organizatore e eventit, kurse ngjarja madhore është planifikuar të mbahet në kryeqytetin Tokio këtë verë duke filluar nga 24 korriku

Riyaz Khaliq   | 23.03.2020
Kryeministri japonez paralajmëron shtyrjen e Lojërave Olimpike

Ankara

Ndërsa bota vazhdon të luftojë me pandeminë e koronavirusit, kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, të hënën nuk përjashtoi mundësinë e shtyrjes të Lojërave Olimpike të vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Japonia është caktuar si organizatore e eventit, kurse ngjarja madhore është planifikuar të mbahet në kryeqytetin Tokio këtë verë duke filluar nga 24 korriku.

Në fjalimin e tij në një seancë parlamentare, Abe tha: "Nëse është e vështirë që lojërat të zhvillohen në një mënyrë të tillë, ne duhet të vendosim për shtyrjen e tyre, duke i dhënë përparësi kryesore shëndetit të atletëve", njoftoi Kyodo News.

Kjo është hera e parë që Abe foli rreth mundësisë së shtyrjes të lojërave. Ai më parë ishte zotuar të mbajë ngjarjen kryesore sportive në "formën e saj të plotë".

Të dielën, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) diskutoi mundësinë e shtyrjes të Lojërave Olimpike-Tokio 2020.

Në një deklaratë të mëvonshme, KON tha se ishte "i sigurt" se këto diskutime do të përfundonin brenda katër javëve të ardhshme.

Ai gjithashtu pranoi "përmirësime të konsiderueshme" në Japoni, gjë e cila shtoi besimin e komitetit, por gjithashtu shprehu shqetësimin për "rritjen dramatike" të rasteve të koronavirusit dhe shpërthimeve të reja në vende të ndryshme.

Kryetari i këshillit organizativ të Lojërave Olimpik-Tokio 2020 të Japonisë, Yoshiro Mori gjithashtu mbështeti vendimin e KON për të rishikuar planin ekzistues të Lojërave Olimpike të Tokios.

"Megjithëse KON do të marrë një vendim përfundimtar, ne jemi të të njëjtit mendim se anulimi nuk është një opsion", u tha Abe ligjvënësve japonezë.

"Unë mendoj se shumë prej tyre (atletët) janë në zona ku nuk mund të stërviten siç duhet pasi koronavirusi po përhapet nëpër botë", shtoi ai.

Ndërkohë, Komiteti Olimpik Australian (AOC) u tha sportistëve të saj që të përgatiten për një shtyrje 12-mujore të Lojërave Olimpike në Tokio, sipas të përditshmes "Sydney Morning Herald".

Në një deklaratë të lëshuar të hënën, Komiteti Olimpik Australian tha se priste që Lojërat Olimpike të Tokios të shtyheshin duke marrë parasysh pandeminë globale COVID-19.

"AOC konsideron se sportistët tanë tani duhet t'i japin përparësi shëndetit të tyre dhe të atyre që janë rreth tyre, dhe të jenë në gjendje të kthehen në familje, në diskutim me Federatat e tyre Kombëtare", thuhet në deklaratë.

Virusi, i cili u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 167 vende dhe rajone në mbarë globin, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara tejkalon 339 mijë dhe numri i vdekjeve ka arritur në mbi 14.700, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.

Kina, Italia, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.

Megjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë virusin vuajnë nga simptoma të lehta dhe shërohen.






Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.