Koronavirusi

Kryediplomati rus vetë-izolohet pas kontaktit me një person të prekur nga COVID-19

Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftoi se Lavrov ndihet mirë dhe nuk ka shenja të sëmundjes, por udhëtimet e punës në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të planifikuar për 28-29 tetor, janë prolonguar për një datë tjetër

Elena Teslova   | 27.10.2020
Kryediplomati rus vetë-izolohet pas kontaktit me një person të prekur nga COVID-19 Foto: AA/Arhiv

Moskë

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, është vetë-izoluar pasi ishte në kontakt me një person që rezultoi pozitiv në testin e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria ruse e Punëve të Jashtme njoftoi se Lavrov ndihet mirë dhe nuk ka shenja të sëmundjes, por udhëtimet e punës në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të planifikuar për 28-29 tetor, janë prolonguar për një datë tjetër.

Sot më herët, Rusia njoftoi numrin rekord të vdekjeve ditore që nga shpërthimi i pandemisë.

Kryeshefja sanitare e Rusisë, Anna Popova, njoftoi se nga dita e nesërme do të ndalohen tubimet masive dhe ngjarjet argëtuese nga ora 11 në mbrëmje deri në orën 6 të mëngjesit.

Ajo tha se nëse situata vazhdon të përkeqësohet, autoritetet mund të vendosin masa më të rrepta.

Në Rusi është e detyrueshme mbajtja e maskës në transportin publik, vende parkimi, ashensorë dhe në tubime masive ku janë të pranishëm 50 ose më shumë njerëz.

Që nga shfaqja dhjetorin e kaluar në Kinë, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, pozitiv për COVID-19 në të gjithë botën kanë rezultuar pothuajse 43.5 milionë persona, përfshirë mbi 1.1 milionë të vdekur dhe rreth 29.2 milionë të shëruar.

SHBA, India dhe Brazili aktualisht janë vendet më të prekura. Rusia renditet vendi i katërt më i prekur nga pandemia COVID-19.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın