BALLKANI, Koronavirusi

Kosovë, mbërrin kontingjenti me ndihma nga Turqia për luftimin e koronavirusit

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia e quajti “lajm të jashtëzakonshëm” ndihmën turke, duke thënë se “miqtë e mirë shihen në ditë të vështira”

Agim Sulaj  | 08.04.2020 - Përdıtësım : 09.04.2020
Kosovë, mbërrin kontingjenti me ndihma nga Turqia për luftimin e koronavirusit ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Sot pasdite në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë është bërë pranim-dorëzimi i një kontingjenti me ndihma mjekësore të ardhura nga Turqia si donacion për popullin kosovar për menaxhimin e situatës epidemiologjike me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmat të cilat erdhën me aeroplan ushtarak nga Turqia, përfshinë teste për diagnostikimin e kooronavirusit, doreza dhe maska mbrojtëse.

Me rastin e arritjes së këtij donacioni, në ceremoninë e pranim-dorëzimit kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, dhe përfaqësuesi i TIKA-s për Kosovë, Hasan Burak Ceran.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke falënderuar Turqinë, tha se “kemi pranuar një ndihmë të konsiderueshme për popullin e Kosovës që të përballemi më lehtë dhe më mirë me këtë situatë”. 

“Miqtë e mirë shihen në ditë të vështira dhe në kohën kur të gjithë miqtë tanë, njësoj si në Kosovë, po përballen me këtë problem, është akoma jo vetëm solidaritet, por është dhe një humanizëm, diçka hyjnore që po ndodh, që të gjithë miqtë tanë në kohën kur po përballemi me këto probleme, po gjejnë mundësi dhe kohë të na ndihmojnë edhe neve, popullin e Kosovës”, tha Vitia.

Ministri Vitia theksoi se këtyre ndihmave do t’u gëzohen më së shumti stafi mjekësor, të cilët “do ta kenë më të lehtë të përballen me situatën, qoftë duke mbrojtur veten që të jenë në krye të detyrës, duke i mbrojtur qytetarët të cilët kanë nevojë tani”.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, tha se ndihmat kanë ardhur me vendim të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

“Sot ne në mesin e këtyre ndihmave që janë sjellë nga Turqia përfshijnë dorëza, maska dhe disa teste të cilat e mundësojnë diagnostikimin e kësaj sëmundjeje”, tha ambasadori Sakar, duke uruar që këto ndihma të bëhen “ilaçe dhe shëndet për popullin kosovar”.

Gjatë konferencës, Ardian Arifaj, këshilltari i presidentit të Kosovës, tha se është realizuar premtimi i presidentit turk i dhënë më herët. Arifaj gjithashtu bëri të ditur se ka pranuar edhe një letër “dërguar nga presidenti Erdoğan për presidentin Thaçi”.

Sot gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me ndihmat e Turqisë për luftimin e koronavirusit në Kosovë, ku u shpreh “Thellësisht mirënjohës për presidentin Erdoğan dhe Turqinë për mbështetjen e Kosovës në këtë kohë të pashembullt”.

Presidenti Thaçi kishte zhvilluar bisedë telefonike me homologun turk edhe më 23 mars, ku kishte kërkuar ndihmë nga Turqia për përballjen e institucioneve dhe qytetarëve me koronavirusin, ku kishte marrë zotimin e presidentit Erdoğan se “gjithçka që Turqia ka në dispozicion, do të jenë në shërbim edhe të popullit të Kosovës”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.