Koronavirusi

Kosovë, qeveria miraton masa të reja kundër pandemisë COVID-19

Në arsyetimin e qeverisë thuhet se masat e reja po ndërmerren pas paraqitjes së llojit të ri të koronavirusit, të njohur si 'Omicron'

Agim Sulaj   | 01.12.2021
Kosovë, qeveria miraton masa të reja kundër pandemisë COVID-19 Foto: AA/Arkiv

Prishtinë

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka miratuar masa të reja për menaxhimin e mëtutjeshëm të situatës me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në arsyetimin e qeverisë thuhet se masat e reja po ndërmerren pas paraqitjes së llojit të ri të koronavirusit, të njohur si 'Omicron'.

Sa i përket masave të reja, mbajtja e maskës mbetet e detyrueshme, me përjashtim të rasteve kur personi është duke drejtuar veturën i vetëm apo ka anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrimeve fizike apo gjatë ngrënies apo pijes, ndërkohë do të ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura.

Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, me përjashtim të rasteve urgjente dhe rasteve të caktuara.

Sa i përket hyrjeve dhe daljeve në vend, çdo person që hynë në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19, test negativ PCR apo dëshmi se personi ka kaluar COVID-19.Nga 3 janari i vitit të ardhshëm, për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë do të vlejë vetëm pika e parë, ajo e vaksinimit me dy doza kundër COVID-19.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës po ashtu është ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave dhe ahengjeve familjare e shoqërore.

Gastronomia do të lejohet të punojë me deri në 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura dhe deri në 70 për qind në ato të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 05:00 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet të emetohet vetëm deri në orën 21:30.

Sa i përket transportit, stafit të autobusëve dhe pasagjerëve u kërkohet njëra nga dëshmitë e COVID-19 që të lejohen të udhëtojnë, ndërsa në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy pasagjerë.

Në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast me llojin e ri 'Omicron', por institucionet kanë paralajmëruar edhe më herët për shtrëngim të masave për menaxhimin e koronavirusit kur gjendja në rajon është vështirësuar dhe ka rrezik për rikthim të një vale të re edhe në Kosovë.

Aktualisht në Kosovë janë 320 raste aktive me COVID-19, ndërsa janë dhënë rreth 1.6 milionë doza të vaksinës anti-COVID-19.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın