Sport, Koronavirusi

Kina optimiste për Lojëra Olimpike Dimërore të suksesshme, përkundër sfidave me variantin "Omicron"

Kina ka eksperiencë në trajtimin e koronavirusit, tha Ministria e Punëve të Jashtme, përderisa Pekini përgatitet për ngjarjen e planifikuar të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm

Riyaz Khaliq Khaliq  | 30.11.2021 - Përdıtësım : 01.12.2021
Kina optimiste për Lojëra Olimpike Dimërore të suksesshme, përkundër sfidave me variantin "Omicron"

Stamboll

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës bëri të ditur se vendi beson se Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të zhvillohen "pa probleme dhe me sukses" përkundër sfidave në rritje nga varianti "Omicron" i koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke u mbështetur në mbyllje të shpejta dhe vaksinim të shpejtë, Kina në masë të madhe ka arritur ta kontrollojë situatën me COVID-19, ndërsa të dhënat zyrtare thonë se vendi që nga dhjetori i vitit 2019 ka regjistruar 98.672 raste, duke përfshirë edhe 4.636 vdekje.

Përderisa Pekini përgatitet për të qenë nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në datat 4-20 shkurt, bota po përgatitet për një valë të re të pandemisë pas paraqitjes së variantit "Omicron", për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se përbën rrezik shumë të lartë të infektimit.

"Omicron do të sjellë sfida në punën e parandalimit të COVID-19 në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin 2022. Por Kina ka eksperiencë në menaxhimin e koronavirusit dhe është e bindur se ngjarja do të zhvillohet pa probleme dhe me sukses", tha Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, për të përditshmen kineze "Global Times".

Xu Wenbo, një zyrtar nga Qendra Kineze e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, tha se strategjia ekzistuese e vendit për të reaguar ndaj COVID-19 "duhet të jetë e mjaftueshme për të trajtuar variantin e ri Omicron".

"Kina do të vazhdojë të bëjë anketa të detajuara në studimet epidemiologjike dhe testimin e gjeneve", tha ai në një takim me përfaqësuesit e mediave, duke shtuar: "Vaksinat tona mbeten efektive kundër variantit të ri, por për të përballuar më mirë këtë variant të ri, Kina ka bërë përgatitje rezervë teknologjike në zhvillimin e vaksinave".

Të dhënat nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit tregojnë se mbi 1,1 miliard njerëz në Kinë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, ndërsa deri më tani në vend janë administruar mbi 2,49 miliardë doza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.