Koronavirusi

Italia regjistron afër 22 mijë raste të reja me COVID-19, rekord i ri që nga shpërthimi

"Numri i vdekjeve është ende relativisht i kufizuar dhe numri i personave në njësitë e kujdesit intensiv është ende nën nivelin alarmues, por e gjithë kjo tregon nevojën për të zbatuar masa adekuate", tha Gianni Rezza

Ekip   | 28.10.2020
Italia regjistron afër 22 mijë raste të reja me COVID-19, rekord i ri që nga shpërthimi Foto: AA/Arhiv

Romë

Italia ka regjistruar një rekord tjetër të rasteve ditore me koronavirusin e ri (COVID-19), respektivisht 21.994 raste të reja të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i infeksioneve u rrit në 564.778, ndërsa numri i viktimave në 37.700, përfshirë 221 vdekje të konfirmuara gjatë ditës së fundit.

"Trendi i epidemisë është në rritje dhe kjo është më e dukshme në dy-tre javët e fundit. Numri i vdekjeve është ende relativisht i kufizuar dhe numri i personave në njësitë e kujdesit intensiv është ende nën nivelin alarmues, por e gjithë kjo tregon nevojën për të zbatuar masa adekuate", tha Gianni Rezza, drejtori i përgjithshëm i departmentit të sëmundjeve infektive në Ministrinë e Shëndetësisë.

Qeveria është nën kritika për vendosjen e kufizimeve të mëtejshme, të cilat detyruan palestrat dhe teatrot të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa baret dhe restorantet të mbyllen para orëve të mbrëmjes. 

Ditëve të fundit, masat e reja nxitën protesta në disa qytete, nga pjesa veriore e vendit deri në atë jugore, me disa që u kthyen në dhunë. Shoqatat e pronarëve të bizneseve u ankuan se masat do të kenë një efekt shkatërrues në aktivitetet e tyre.

Sot, qeveria u përgjigj duke miratuar një paketë të re të ndihmës financiare për kategoritë më të prekura, përfshirë sektorët e ushqimit dhe turizmit, me fonde në dispozicion nga mesi i nëntorit.

Masat e reja, me vlerë deri në 5 miliardë euro, përfshijnë fonde për skemat e ndërmarrjeve dhe ndalimin e pushimit nga puna. 

Megjithatë, analistët besojnë se paketa ekonomike nuk ka gjasa të qetësojë tensionet shoqërore. Sipas një ankete të fundit nga qendra e kontaktit SWG, 61 për qind e italianëve janë kundër masave të reja, ndërsa popullariteti i kryeministrit Giuseppe Conte po ashtu është dobësuar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın