Koronavirusi

Italia raporton numrin më të lartë të infektimeve që nga fillimi i pandemisë COVID-19

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 178 mijë teste janë kryer gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend arriti në 504.509

Ekip   | 24.10.2020
Italia raporton numrin më të lartë të infektimeve që nga fillimi i pandemisë COVID-19

Romë

Italia raportoi sot 19.644 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), që është rritja më e lartë njëditore që nga fillimi i pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 178 mijë teste janë kryer gjatë 24 orëve të fundit.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në vend arriti në 504.509.

Italia regjistroi gjithashtu 151 raste të reja të vdekjeve gjatë ditës së kaluar, duke e çuar numrin e të vdekurve në 37.210.

Rritja e numrit të infeksioneve gjatë javëve të fundit ka vënë qeverinë nën presion për të miratuar masa të reja kufizuese, në mënyrë që të shmanget një bllokim i ri në të gjithë vendin që do të ishte shkatërrues për ekonominë e brishtë të Italisë.

Kryeministri Giuseppe Conte u takua sot me autoritetet rajonale për të planifikuar masa të reja kufizuese që mund të vendosen javën e ardhshme në nivel kombëtar.

Në ditët e fundit, guvernatorët lokalë në disa rajone kanë miratuar orë policore brenda ditës në një përpjekje për të ndaluar takime të mëdha jashtë bareve dhe restoranteve.

Masat e reja shkaktuan mbrëmë protesta të dhunshme në qytetin jugor të Napolit, duke shkaktuar trazira urbane dhe përplasje midis protestuesve të maskuar dhe policisë.

Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese sot i vlerësoi protestat si "të papranueshme", duke shtuar se prokurorët e Napolit kanë filluar hetimet.

Lamorgese gjithashtu tha se zyrtarët e sigurisë po planifikonin të rrisnin forcat policore në zonë për të shmangur trazirat e reja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın