Koronavirusi

Italia raporton 837 vdekje të reja nga COVID-19

Numri i vdekjeve në vendin më të goditur nga COVID-19 vazhdon të rritet, por numri i të infektuarve stabilizohet, duke mbështetur shpresat për përmirësim të gjendjes

Ekip   | 31.03.2020
Italia raporton 837 vdekje të reja nga COVID-19

Romë

Italia ka raportuar 837 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 12.428, numër i cili akoma mbetet më i lartë i vdekjeve në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, një ngadalësim është regjistruar në numrin e të infektuarve të rinj, krahasuar me shifrat e rritjes së rasteve që nga fillimi i përhapjes së virusit.

Numri i të infektuarve u rrit për 2,8 për qind nga e hëna, duke arritur në 77.635. Numri i personave të shëruar gjithashtu vazhdoi të rritet, duke arritur në 15.729.

Epiqendra e përhapjes së koronavirusit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, ku janë regjistruar 7.199 viktima.

Ekspertët italianë thonë se përhapja e sëmundjes akoma nuk ka arritur kulmin në vend, duke shtuar se i afrohet kësaj pike.

Pritet që qeveria italiane të miratojë dekret të ri në fillim të prillit, i cili ka të ngjarë të zgjasë masat e bllokimit për të paktën dy javë të tjera.

Ministri i Shëndetësisë së Italisë, Roberto Speranza, paralajmëroi sot se bllokimi mund të vazhdohet të paktën deri në të Dielën e Pashkëve, më 12 prill.

Në ndërkohë, afaristët po i bëjnë thirrje qeverisë për ndihmë në përballjen me pasojat e mëdha ekonomike.

Shoqata kryesore e biznesit në Itali, Confindustria, parashikoi se humbjet e shkaktuara nga pandemia në drejtim të prodhimit mund të arrinin deri në 10 për qind në gjysmën e parë të vitit dhe rënie vjetore prej rreth 6 për qind, që vlerësohet të jetë një katastrofë e vërtetë për ekonominë e vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın