Koronavirusi

Itali, me 636 viktima të reja numri i vdekjeve nga COVID-19 rritet në 16.523

Rastet e konfirmuara me koronavirus u rritën me 2 për qind nga dita e djeshme, duke arritur në gjithsej 93.187 raste të konfirmuara

Ekip  | 06.04.2020 - Përdıtësım : 07.04.2020
Itali, me 636 viktima të reja numri i vdekjeve nga COVID-19 rritet në 16.523

Romë

Italia ka raportuar 636 vdekje nga koronavirusi i ri (COVID-19) në 24 orët e fundit, duke e çuar në 16.523 numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend, shifër e cila sa i përket numrit të vdekjeve aktualisht e bën vendin me numrin më të lartë të viktimave në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rastet e konfirmuara me koronavirus u rritën me 2 për qind nga dita e djeshme duke arritur në gjithsej 93.187 raste të konfirmuara, rritje e cila shënon numrin më të ulët që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë. 

Numri i personave të shëruar vazhdon të rritet, duke arritur në 22.837, ndërsa numri i personave që ndodhen në kujdes intensiv ka shënuar rënie për të tretën ditë radhazi. 

Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili aktualisht numëron 9.202 viktima nga ky virus. 

Në betejën e saj të vazhdueshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë, qeveria italiane ka zgjatur bllokimin pothuajse të plotë, me anë të të cilit ndalon shumicën e aktiviteteve të prodhimit dhe bizneset në Itali deri të paktën më 13 prill. 

Kryeministri Giuseppe Conte në vazhdimësi ka thënë se qeveria do të fillojë të zbusë masat vetëm kur shkencëtarët të miratojnë një veprim të tillë, por deri më tani nuk ka dhënë një datë specifike. 

Sot, qeveria italiane zhvilloi një takim për të miratuar një paketë të re të masave që synojnë të ndihmojnë bizneset dhe investitorët të përballojnë pasojat e rënda nga pandemia e cila rrezikon të thellojë ekonominë italiane në një recesion të ri dhe të dhimbshëm. 

Paketa e re e urgjencës pritet të përfshijë masa që japin likuiditet të ri dhe kredi bankare me vlerë deri në 400 miliardë euro për bizneset dhe kompanitë e dëmtuara nga shpërthimi i pandemisë dhe bllokimi.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në mbarë globin, ndërsa bazuar në të dhënat e Universitetit John Hokins me qendër në SHBA aktualisht në të gjithë botën ka pothuajse 1.3 milionë raste të infektuara, me mbi 71 mijë të vdekur dhe mbi 270 mijë të shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın