Koronavirusi

Gjermania me rekord të ri të rasteve ditore me COVID-19

Instituti Robert Koch (RKI), agjencia e kontrollit të sëmundjeve në vend, konfirmoi 133.536 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 234 vdekje që ndërlidhen me koronavirusin

Ayhan Şimşek   | 20.01.2022
Gjermania me rekord të ri të rasteve ditore me COVID-19

Berlin

Gjermania raportoi më shumë se 130.000 raste të reja të koronavirusit në një ditë, një rekord i ri që nga fillimi i pandemisë dy vjet më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti Robert Koch (RKI), agjencia e kontrollit të sëmundjeve në vend, konfirmoi 133.536 raste me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 234 vdekje që ndërlidhen me koronavirusin.

Kjo është dita e dytë me radhë që vendi regjistron rekord të numrit të rasteve të reja, pasi dje u raportuan 112.323 raste.

Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, shumica e rasteve kanë qenë të lehta deri më tani, duke mos qenë e nevojshme të shtrohen në spital.

Niveli i hospitalizimit në Gjermani ishte 3,56 për 100.000 banorë të martën, shumë më e ulët se shifrat e vërejtura në valët e mëparshme të pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i pacientëve me COVID-19 në njësitë e kujdesit intensiv vazhdoi të bjerë këtë javë.

Megjithatë, zyrtarët e shëndetit publik po paralajmërojnë se varianti Omicron po përhapet dukshëm më shpejt se variantet e mëparshme dhe mund të rëndojë sistemin e kujdesit shëndetësor nëse rastet vazhdojnë të rriten në mënyrë dramatike në ditët në vijim.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se numri i rasteve të reja me gjasë do të vazhdojë të rritet në javët në vijim, ndërsa kulmi i valës së pestë aktuale pritet të jetë në mes të muajit shkurt.

Qeveria gjermane ka rritur fushatën e saj të vaksinimit dhe po planifikon të administrojë vaksina përforcuese për të gjithë ata që kanë të drejtë brenda disa javësh për të frenuar përhapjen e variantit Omicron.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 73 për qind e popullsisë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 dhe pothuajse 49 për qind prej tyre kishin marrë edhe vaksinat përforcuese që nga e marta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın