BALLKANI, Koronavirusi

Filipçe: Hapi i ardhshëm për parandalimin e COVID-19 do të jetë "ora policore"

"Situata është me të vërtetë serioze. Hapi i ardhshëm do të ishte kufizimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve, respektivisht ora policore. T'i bashkojmë fuqitë t'i respektojmë masat të gjithë që ta tejkalojmë gjithë këtë", tha Filipçe

Abdulbesar Ademi  | 19.10.2020 - Përdıtësım : 20.10.2020
Filipçe: Hapi i ardhshëm për parandalimin e COVID-19 do të jetë "ora policore"

Shkup

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, i cili paralajmëroi disa masa të reja kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) në vend, ka deklaruar se nëse masat e paraqitur në parlament nuk reduktojnë numrin e të infektuarve të ri hapi i ardhshëm do të jetë kufizimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media para qeverisë së vendit, Filipçe theksoi se në dy javët e fundit vendi ka regjistruar rritje domethënëse në rastet e reja të diagnostikuara me COVID-19, edhe atë më shumë në grupmoshat e dekadës së tretë, të katërt, të pestë, por edhe të gjashtë dhe se kjo është regjistruar si në kryeqytetin Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera në mbarë vendin.

Duke u bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila sipas ministrit është pritur si në vend, rajon, por edhe më gjerë, Filipçe paralajmëroi masa të reja kufizuese për të frenuar përhapjen e virusit, duke shprehur bindje se të njëjtat do të votohen në parlament brenda kësaj jave.

"Për seancën e nesërme qeverisë do t'i propozojmë edhe një paketë tjetër të masave, që do të përfshijë funksionimin e të gjitha operatorëve ekonomikë deri në orën 23:00, kufizimi i kapaciteteve në transportin publik deri në 50 për qind, si dhe propozimin për të gjithë administratën shtetërore dhe publike, propozimin tek komunat dhe gjykatat që punën ta zhvillojnë në ndërrime apo online nga shtëpia", deklaroi Filipçe.

Këto paketa të masave kufizuese pritet që të diskutohen gjatë ditës së nesërme në parlamentin e vendit, nga ku nevojiten të votohet nga ligjvënësit për t'u zbatuar në praktikë në bazë të Ligjit për mbrojte nga sëmundjet infektive, ku tashmë janë propozuar mbajtja e detyrueshme e maskës në hapësira publike, ndalimi i grupimeve pas orës 22 dhe kufizimi i grupimeve familjare.

"Situata është me të vërtetë serioze. Hapi i ardhshëm do të ishte kufizimi i plotë i lëvizjes së qytetarëve, respektivisht ora policore. T'i bashkojmë fuqitë t'i respektojmë masat të gjithë që ta tejkalojmë gjithë këtë, sepse kjo është mënyra me të cilën do të duhet të funksionojmë në periudhën që është para nesh", tha Filipçe, duke përmendur motin më të ftohtë të vjeshtës dhe dimrit.

Aktualisht, masat e Komisionit të Sëmundjeve Infektive të Maqedonisë së Veriut i paraqiten qeverisë, e cila më pas në seancë qeveritare vendos për t'ia paraqitur parlamentit që kjo e fundit t'i votojë me të paktën 61 vota për t'u zbatuar në praktikë.

Ministri Filipçe njoftoi se në Ligjin për mbrojtje nga sëmundjet infektive është paraqitur edhe një ndryshim ligjor, që parashikon masat e ardhshme kufizuese të pranohen me vendim të qeverisë pa kaluar në seancë parlamentare. Për këtë ndryshim ligjor nevojitet vota e 61 nga gjithsej 120 ligjëvënës të parlamentit të vendit.

"Kapaciteti i spitaleve po mbushet me shpejtësi"

Filipçe njoftoi se pas takimit të mëngjesit të sotëm me Komisionit për Sëmundje Infektive informuan shtabin e qeverisë mbi situatën epidemiologjike të vendit me pandeminë e COVID-19, veçanërisht mbi kapacitetin e spitaleve për të trajtuar pacientët e infektuar me këtë virus.

"Sa i përket kapacitetit të spitaleve, ato vazhdojnë të tejmbushen. Ende nuk ka (pacientë) të vendosur, edhe pse është i gatshëm spitali modular afër Klinikës Infektive në Shkup. Kuadri është i gatshëm, internistët që vijnë përmes sistemit për rotacion janë të gatshëm, së bashku me motrat medicinale", tha Filipçe, duke theksuar se aktualisht janë të mbushur kapacitet në repartet e klinikave infektive në qytetet Kumanovë, Strumicë, Shtip dhe Prilep.

Javës së fundit, numri i rasteve të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut është rritur ndjeshëm, duke shënuar edhe numër rekord të të diagnostikuarve të ri me afër 500 raste të regjistruara në 24 orë.

Së fundmi, brenda 24 orëve të fundit vendi raportoi 428 raste dhe 10 viktima nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 23.628 dhe të vdekjeve në 834. Numri aktiv i rasteve me COVID-19 në vend është 5.555, ndërsa numri i testeve të dyshuara për virusin është 221.011.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.