Firdevs Bulut,Murat Asil
07 Prill 2020•Përditësim: 07 Prill 2020
Universiteti turk Erciyes ka filluar punimet për imunizimin pasiv, një metodë që ka për qëllim që të marrë plazmë imunitare nga pacientët e rikuperuar nga COVID-19 dhe ta përdorë atë në trajtimin e viktimave të tjera në gjendje kritike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pacientët e shëruar pritet të donojnë gjak në laboratorin e universitetit, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në shërimin e të tjerëve, tha në një deklaratë Mustafa Çalış, kreu i Universitetit Erciyes.
Ai gjithashtu tha se trajtimi me plazmë qëmoti është përdorur në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
"Antitrupat e marrë nga ata që janë rikuperuar, ose kanë fituar imunitet, u jepen të sëmurëve. Në këtë mënyrë, ekziston mundësia e shërimit nëse pacientët nuk mund të zhvillojnë imunitetin e tyre", tha ai.
"Kjo metodë më herët është përdorur në trajtimin e SARS dhe Ebola. COVID-19 është i ri në literaturën mjekësore, por bazuar në përvojën e mëparshme dhe hulumtimet mbi njerëzit që testuan pozitiv për COVID-19, profesionistët shëndetësorë thonë se kjo metodë mund të jetë efektive", theksoi Çalış.
Ai gjithashtu tha se ata që janë shëruar, do të përfshihen në mbledhjen e plazmës me lejen e tyre.
"Pacientët me një test negativ të koronavirusit do të testohen përsëri pas dy javësh për t'u siguruar që nuk kanë asnjë virus në trup", tha rektori i universitetit.
"Ne pastaj do të mbledhim plazmën nga këta individë në një metodë që zgjat rreth 45 minuta. Kjo plazmë imune do t'u dërgohen pacientëve në ICU. Shpresojmë që kjo të ndihmojë në shërimin e tyre", shtoi ai.
Deri më tani, në Turqi janë raportuar mbi 30.200 raste të koronavirusit, ndërsa numri i vdekjeve është 649.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në mbarë globin, ndërsa bazuar në të dhënat e Universitetit John Hokins me qendër në SHBA aktualisht rastet e konfirmuara me këtë virus kanë tejkaluar shifrën 1.3 milionë, me mbi 72 mijë të vdekur dhe mbi 273 mijë të shëruar.