Koronavirusi

COVID-19: Kreu i Çairit në vetë-izolim shkaku i kontaktit me një person të infektuar

"Gjendja nuk duket aspak e mirë dhe gjithmonë mund të përshkallëzohet për më keq", shkroi Ganiu

Besar Ademi  | 01.06.2020 - Përdıtësım : 01.06.2020
COVID-19: Kreu i Çairit në vetë-izolim shkaku i kontaktit me një person të infektuar Foto: AA/Arhiv

Shkup

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka bërë të ditur se nga dita e sotme është në vetë-izolim shkaku i kontaktit të tij me një person që kishte rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrjetet sociale, Ganiu shprehu shqetësim mbi zhvillimin e situatës me koronavirusin në vend dhe tha se do të veprojë sipas protokoleve të institucioneve përkatëse shëndetësore.

Ai po ashtu apeloi tek qytetarët e tij për kujdes dhe përmbajtje ndaj masave të parapara, si dhe për trajtimin më me seriozitet të kësaj "tematike dhe sfide".

"Gjendja nuk duket aspak e mirë dhe gjithmonë mund të përshkallëzohet për më keq", shkroi Ganiu.

Ditëve të fundit janë rritur ndjeshëm rastet e zbuluara me koronavirus. Edhe deputeti i partisë në pushtet, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Muhamet Zekiri, dje njoftoi se së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.

Autoritetet shëndetësore të vendit së fundmi njoftuan 62 raste të reja të zbuluara dhe dy vdekje nga pandemia e koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të zbuluara u rrit në 2.226 dhe i vdekjeve në 133.

Deri më tani nga virusi në vend janë shëruar 1.552, ndërsa numri aktiv i rasteve me COVID-19 eshtë 541.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.