Faruk Zorlu
12 Maj 2022•Përditësim: 12 Maj 2022
Pandemia më shumë se dyvjeçare COVID-19 në SHBA deri më tani ka marrë një milion jetë, tha presidenti Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vendi “shënon një moment historik tragjik dhe secila ishte humbje e pazëvendësueshme”, tha Biden në një deklaratë.
Çdo jetë e humbur la pas “një familje, një komunitet dhe një komb të ndryshuar përgjithmonë për shkak të kësaj pandemie. Jill dhe unë lutemi për secilën prej tyre”, shtoi ai, duke iu referuar zonjës së parë.
Duke u bërë thirrje amerikanëve që “të qëndrojnë vigjilentë kundër kësaj pandemie”, ai tha se është “kritike” që Kongresi t’i ruajë burimet, duke përfshirë testimin, vaksinat dhe trajtimet në muajt e ardhshëm.
Deklarata nga presidenti amerikan vjen në mes të përpjekjes së tij që Kongresi të miratojë më shumë para për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19, në SHBA dhe jashtë saj, një përpjekje që aktualisht ka ngecur.
Që nga dhjetori 2019, koronavirusi ka marrë mbi 6,25 milionë jetë në të paktën 192 vende dhe rajone, me mbi 519 milionë raste të raportuara në mbarë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins në SHBA.