Sibel Vezaj
30 Gusht 2016•Përditësim: 30 Gusht 2016
PRISHTINË (AA) - Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur sot bëri homazhe duke vendosur lule tek ‘Përmendorja dedikuar personave të zhdukur’, përballë Kuvendit të Kosovës, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast Presidenti Thaçi u shpreh se së bashku me përfaqësuesit e shoqatave të personave të pagjetur janë këtu për t’i nderuar njerëzit e zhdukur.
“Po punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës që të zbardhet fati i të pagjeturve, një çështje që na preokupon të gjithëve, bartësit e institucioneve, shoqatat, qytetarët dhe çdo familje që është prekur nga kjo dhimbje e rëndë. Prandaj sot si presidenti i vendit shprehi përsëri solidaritet të plotë në familjet e të pagjeturve, por në të njëjtën kohë edhe zotimin dhe përgjegjësinë për të punuar edhe më tepër që sa më shpejtë fati i të çdo pagjeturi”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke vënë në dukje se kjo është një plagë e cila mundon të gjithë kosovarë, Presidenti u shpreh se vetëm me shpresë, optimizëm dhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në bashkëpunim me shoqatat e të pagjeturve mund të bëhet zgjidhja e kësaj çështjeje.
“Këtë plagë të luftës do ta shërojmë vetëm bashkërisht, duke qenë solidarë me njëri tjetrin, dhe duke punuar drejt një bashkëpunimi dhe besimi, që në të ardhmen të ndërtojmë një Kosovë të re, një Kosovë evropiane dhe euro-atlantike”, shtoi në fund Thaçi.
Ndërkohë, koordinatori i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Bajram Qerkini u shpreh se këto plagë duhen që sa më shpejtë të shërohen, duke e marrë me seriozitet këtë punë, dhe duke zgjedhur fatin e të pagjeturve.
Ndryshe, 17 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, ende 1.666 persona figurojnë si të zhdukur.