Jamal Khashoggi

Aktivisti saudit: Princi i kurorës është pas vrasjes së Khashoggit

”Pa hetime ndërkombëtare, regjimi saudit do të ndihet i lirë dhe ata do të vazhdojnë krimet. Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të ushtroj presion për hetim ndërkombëtar”, tha Assiri për AA

Sena Güler  | 05.03.2019 - Përdıtësım : 06.03.2019
Aktivisti saudit: Princi i kurorës është pas vrasjes së Khashoggit

Gjenevë

Një aktivist për të drejtat e njeriut i Arabisë Saudite ka deklaruar se “e dimë se princi i kurorës saudite është pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e 40-të të rregullt të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, aktivisti Yahya Assiri tha se “Mohammed bin Salman është pas gjithë kësaj”.

Duke folur në panelin e titulluar “Arabia Saudite - koha për përgjegjësi”, Assiri adresoi shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend, duke theksuar se asnjë vendim i vetëm nuk mund të merret në vendin e tij pa dijeninë e bin Salmanit.

Duke theksuar se autorët e vrasjes së Khashoggit janë akoma në liri, Assiri tha se lidhur me hetimin për vrasjen Arabia Saudite nuk ka bashkëpunuar me raportuesen e posaçme të OKB-së për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard.

“Lidhur me rastin Khashoggi, ne kërkojmë një hetim ndërkombëtar dhe të pavarur. Pa të nuk mund ta arrijmë realitetin. Pa hetime ndërkombëtare, regjimi saudit do të ndihet i lirë dhe do të vazhdoj krimet. Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të ushtroj presion për hetim ndërkombëtar”, tha Assiri për AA.

Duke kujtuar refuzimin saudit ndaj pretendimeve për vrasjen, Assiri tha se qeveria e tij vazhdon të “gënjej gjatë gjithë kohës”, edhe pas presionit ndërkombëtar se ata duhej ta pranonin krimin.

“Por, ne duhet të vazhdojmë me presionin deri sa të pranojnë se Mohammed bin Salman është pas gjithë kësaj”, shtoi ai.

Aktivisti saudit po ashtu falënderoi Turqinë për përpjekjet e saj në zbardhjen e rastit, duke shtuar se vetëm një hetim ndërkombëtar do të zbulonte të vërtetën.

“Ne po ashtu i kërkojmë qeverisë turke që të vazhdoj të shtyj këtë dosje në hetimin ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Javën e kaluar, ministri i shtetit saudit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Adel al-Jubair, nuk foli për vrasjen e Khashoggit dhe gjatë fjalës së tij në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me këtë temë.

Jamal Khashoggi u vra në mënyrë brutale brenda Konsullatës Saudite në Stamboll pak pasi hyri në godinën diplomatike në tetor të vitit 2018. Riadi zyrtar fillimisht mohoi ndonjë rol në vrasjen e gazetarit dhe është përpjekur të fajësoj një operacion të kryer nga agjentë mashtrues.

Trupi i Khashoggit ende nuk është gjetur, pavarësisht zbulimit të kohës, vendit dhe mënyrës së vrasjes.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.