Muhammed Boztepe
17 Mars 2018•Përditësim: 17 Mars 2018
ANKARA (AA) – Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" i nisur më 20 janar në rajonin Afrin të Sirisë, kanë neutralizuar gjithsej 3.569 terroristë, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke nëpërmjet një deklarate njofton se vazhdon operacioni i nisur më 20 janar me qëllim për të neutralizuar terroristët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it, për të shpëtuar popullin mik dhe vëllazëror të rajonit nga presioni dhe persekutimi i terroristëve si dhe për të vendosur siguri dhe stabilitet për kufijtë dhe rajonin.
Në deklaratë bëhet e ditur se në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" ka arritur në 3.569 numri i terroristëve të neutralizuar që nga fillimi i operacionit e deri më tani.
Operacioni "Dega e Ullirit" ka filluar më 20 janar të këtij viti nga TSK në Afrin me qëllim për të vendosur siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe për të mbrojtur sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.
Afrin, TSK dhe ULS pastrojnë nga terroristët edhe 3 fshatra tjerë
Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" kanë çliruar nga terroristët 3 fshatra të tjerë në Afrin të Sirisë.
Siç informojnë gazetarët e AA-së në terren, TSK dhe ULS kanë çliruar nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it fshatin Haci Kasimli pranë qytezës Mabatli në veriperëndim të Afrinit, fshatin Eshkansharki pranë qytezës Xhinderes në jug si dhe fshatin Astaro pranë qendrës së qytetit të Afrinit.
TSK dhe ULS sot pastruan nga terroristët edhe fshatrat Kokani, Aynel Hacer, Heltangarbi ve Çakillieccum të Afrinit, duke ndërprerë kështu lidhjen mes qendrës së qytezës Mebatli dhe qendrës së Afrinit.
Numri i fshatrave të pastruara nga terroristët gjatë ditës së sotme arriti në 7.
Në kuadër të operacionit, TSK dhe ULS kanë marrë nën kontroll gjithsej 268 rajone, përfshirë 224 fshatra dhe 44 pika kyçe.
Trupat të cilat ngushtuan rrethimin rreth qendrës së Afrinit, me çlirimin e fshatit Kafer Çil arritën në afërsi prej 600 metrash nga lagjet periferike të qendrës.
Qendra e Afrinit përbëhet nga gjashtë rajone, Raxhu, Bulbul, Shejh Hadid, Xhinderes, Sheran dhe Mabatli, ku përveç rajonit Mabatli, të gjitha qendrat e këtyre rajoneve ndodhen nën kontrollin e TSK-së dhe ULS-së.
Organizata terroriste YPG/PKK të gjitha përforcimet dhe linjat mbrojtëse i ka në qendrën e qytezës së Afrinit. Ajo ka larguar me forcë civilët drejt qendrës së qarkut që t'i përdorë si mburojë e gjallë.
Nga ana tjetër, ajo i bllokon arabët dhe kurdët të cilët dëshirojnë të shkojnë në rajonet e kontrolluara nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe opozitarët ushtarakë. Mbajtja e civilëve ka shkaktuar edhe reagimin e Kombeve të Bashkuara.
TSK dhe ULS, të cilat kanë rrethuar qendrën e qytetit të Afrinit, po e mbajnë të hapur një korridor i cili ofron mundësinë e kalimit të sigurtë të civilëve të cilët dëshirojnë të shkojnë në jug.
Trupat e TSK-së takohen në veri të Afrinit
Trupat e Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK), të cilat në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit" po avancojnë nga lindja për në perëndim dhe nga perëndimi për në lindje u takuan në veri të Afrinit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë vazhdon operacioni "Dega e Ullirit" i cili po zhvillohet kundër objektivave terroriste në Afrin të Sirisë.