PRISHTINË (AA) - Sot në Prishtinë në lokacione të ndryshme festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ku u organizuan punëtori me karakter informues dhe edukativ, si dhe programe argëtimi dedikuar fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën kujdesin e Muzeut Kombëtar të Kosovës sot me qindra fëmijë të moshave të ndryshme u morën me aktivitete, luajtën lojëra të ndryshme, posaçërisht lojërat e vjetra, ato që përfaqësojnë trashëgiminë e kulturës së vendit me moton: Luajmë, mësojmë, zbulojmë-Trashëgiminë.
Në fjalët e tyre fëmijët shprehën kënaqshmërinë e tyre për këtë ditë, sidomos për organizime të tilla drejtuar fëmijëve. Duke theksuar të drejtat e tyre, barazinë dhe rëndësinë e arsimit fëmijët i shprehën edhe mendimet e tyre për rolin e fëmijës në shoqëri.
Rigon Gashi është nxënës i shkollës fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, i cili mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Muzeu Kombëtar. “Jemi mbledhur sepse është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, 1 Qershori, që të gjithë fëmijët t`i kenë të drejtat e tyre. Edhe fëmijët kanë të drejtat e barabarta me të gjithë fëmijët e botës”, u shpreh Rigoni.
“Më herët luajtëm një lojë me litar, tash po përgatitemi për një lojë me topa, e në vazhdim do të shikojmë” u shpreh Anis Agushi, nxënës i shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.
Duke theksuar edhe përgjegjësitë e fëmijëve Anisi shtoi: “Fëmijët së pari duhet të mësojnë dhe ta përfundojnë shkollën, gjë që është një prej obligimeve më të mëdha. Nëse ata janë të suksesshëm në jetë, atëherë në të ardhmen, kur të rriten ata do ta drejtojnë vendin”.
Ndërkohë, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Skënder Mushtrakaj u shpreh se këto aktivitete që organizohen për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve do të vazhdojnë deri të premtën si në Prishtinë, ashtu edhe në qytete tjera të Kosovës, por do të kenë edhe vazhdimësi si programe të rregullta edukative të Muzeut të Kosovës.
“1 qershori është një ditë që Muzeu i Kosovës nuk mund të mos e shënojë me aktivitetet e veta. Është dita e fëmijëve, të njerëzve më të dashur të muzeut. Ne do të jemi, siç e kemi thënë laborator i historisë i hapur për fëmijtë dhe të rinjtë e vendit. Sot jemi në sheshin Ibrahim Rugova në disa stacione, njëkohësisht jemi në muzeun mobil në Mitrovicë me një aktivitet të ngjashëm”, u shpreh Mushtrakaj.
1 Qershori u shpall Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve në vitin 1925, në Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve në Gjenevë, Zvicër, ditë e cila festohet në shumë vende të botës, për të vënë në dukje të drejtat e fëmijëve, qasjen e tyre në arsim dhe edukim si dhe për të mbrojtur fëmijët që punojnë me orë të gjata dhe në kushte të rrezikshme.