Avokati i Popullit prezanton studimin për minimumin jetik në Shqipëri

Igli Totozani u shpreh se në bazë të llogaritjeve me ekspertë të ekonomisë minimumin jetik është 16,000 lekë të reja (rreth 117 euro) në muaj për frymë

TIRANË (AA) - Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë ka prezantuar sot gjatë një aktiviteti të organizuar në Tiranë studimin “Llogaritja e minimumit jetik - Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i Popullit, Igli Totozani, gjatë fjalës së tij u shpreh se pas 5 vitesh kërkesash dhe rekomandimesh drejtuar qeverive për të shpallur zyrtarisht minimumin jetik, institucioni që ai drejton vendosi llogaritjen e minimumin jetik, me ekspertë të pavarur të ekonomisë. Sipas tij, në bazë të llogaritjeve me ekspertë të ekonomisë minimumin jetik është 16,000 lekë të reja (rreth 117 euro) në muaj për frymë.

"Prej pesë vitesh jemi përpjekur me kërkesa dhe rekomandime drejtuar qeverive që të shpallin zyrtarisht nivelin e minimumit jetik. Kjo, pasi Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka të deklaruar minimumin jetik. Në Shqipëri ka ende shumë familje që jetojnë në kushte të një varfërie ekstreme, ka prindër që e kanë të vështirë t’u sigurojnë bukën fëmijëve. Minimumi jetik i llogaritur prej 16,000 lekë në muaj për frymë në Shqipëri vërehet se luhatet përafërsisht në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë. Kjo ngjashmëri me vendet e rajonit rrit kredibilitetin e vlerës së përllogaritur nga ky studim", ka theksuar Totozani.

Ai ka shtuar se me qëllim për t’i siguruar individëve një jetesë me dinjitet do të ishte e nevojshme ngritja mbi konceptin e nivelit të minimumit jetik, në atë të një standardi jetese të arsyeshëm, i cili sipas tij, plotëson nevojat fizike, psikologjike dhe sociale të një personi.

Avokati i Popullit gjithashtu ka prezantuar edhe rekomandimet drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë që lidhen me përfshirjen e përcaktimit të minimumit jetik në kuadrin ligjor.

Konkretisht rekomandohet rishikimi i kuadrit ligjor për llogaritjen e minimumit jetik dhe krijimin e një baze ligjore të fortë për përllogaritjen e tij sipas bazave shkencore dhe përgjegjësive institucionale.