Varank: Turqia së shpejti do të bëhet gjigand i mbrojtjes
Duke theksuar se vitin e kaluar shpenzimet globale të mbrojtjes tejkaluan 2 trilionë dollarë, Varank tha se të ardhurat e mbrojtjes dhe aviacionit të Turqisë arritën në 12 miliardë dollarë në baza vjetore

Stamboll
Ministri i Teknologjisë dhe Industrisë i Turqisë, Mustafa Varank, ka deklaruar se vendi i tij së shpejti do të bëhet një gjigand i mbrojtjes falë investimeve të saj në sektorin e mbrojtjes për pesë vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Besoj se mjetet ajrore pa pilot (UAV), Bayraktar dhe Anka, do të fluturojnë në qiejt evropian", tha Varank gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Shoqata e Mbrojtjes dhe Hapësirës Ajrore të Stambollit dhe Shoqata e Industrisë së Stambollit.
Varank kujtoi se sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ka thënë se mjetet ajrore pa pilot të Turqisë janë "ndryshues të lojës".
Duke theksuar se vitin e kaluar shpenzimet globale të mbrojtjes tejkaluan 2 trilionë dollarë, Varank tha se të ardhurat e mbrojtjes dhe aviacionit të Turqisë arritën në 12 miliardë dollarë në baza vjetore.
Ai shtoi se eksportet turke të mbrojtjes u rritën nga 340 milionë dollarë në vitin 2005 në 3 miliardë dollarë në vitin 2020.
Ai po ashtu tha se çdo ditë industria po përqendrohej gjithnjë e më shumë në prodhimin vendor, duke shtuar se në vitin 2023 industria e mbrojtjes do të jetë 75 për qind e mbështetur në vetvete.
Kreu i Presidencës së Industrive të Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir, përsëriti se Turqia me prodhimin vendas plotëson një pjesë të madhe të nevojave të saj të mbrojtjes.
Demir tha se synimet e Turqisë për vitin 2023 për industrinë e mbrojtjes janë 27 miliardë dollarë eksporte dhe 80 mijë punonjës.