Ekonomi

Turqia ngre shqetësime rreth Brexit-it dhe luftës tregtare

Zyrtarë të lartë të politikave ekonomike theksojnë vështirësitë me të cilat përballet Turqia lidhur me Brexit-in dhe luftën e vazhdueshme tregtare

Aysu Biçer  | 08.10.2019 - Përdıtësım : 08.10.2019
Turqia ngre shqetësime rreth Brexit-it dhe luftës tregtare ( Ahmet Bolat - Anadolu Agency )

Ankara

Ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan dhe kreu i Unionit Turk të Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave (TOBB), Rifat Hisarcıklıoğlu, të martën adresuan shqetësimet lidhur me sfidat që dalin nga procesi i ardhshëm i Brexit-it dhe lufta tregtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata morën pjesë në takimin e titulluar, "Lufta tregtare, Brexit dhe e Ardhmja e Sistemit Tregtar Shumëpalësh", organizuar nga Komiteti Kombëtar Turk i Dhomës së Tregtisë.

Gjatë takimit, Pekcan theksoi rëndësinë e lidhjeve të forta ekonomike midis Turqisë dhe Britanisë.

"Ne akoma nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me 31 tetor, por një gjë ne dimë; Britania është një nga vendet me të cilat ne tregtojmë më së shumti, dhe vendi i dytë ku ne gjithashtu eksportojmë më së shumti", tha ajo.

Ajo tha se nëse ndodh Brexit-i i vështirë, Turqia do të jetë vendi i dytë që do të ndikohet pas BE-së, duke theksuar se Qeveria e Turqisë është duke punuar në mënyrë proaktive për minimizimin e ndikimeve negative të këtij procesi.

Pekcan po ashtu ngriti disa shqetësime lidhur me luftën tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, duke thënë se lufta tregtare nga diskurse u shndërruan në veprime që dëmtojnë.

Hisarcıklıoğlu tha se lufta tregtare, e cila nisi si një duel komercial midis SHBA-së dhe Kinës, gradualisht u kthye në një vorbull, që tërhoqi brenda saj BE-në, Japoninë dhe Korenë.

"Ne ende nuk e dimë se si do të zgjidhet Brexit-i, apo se çfarë do të ndodhë pas divorcit", tha ai duke shtuar se procesi është kthyer në një rrëmujë.

Ai gjithashtu theksoi se mbetet e paqartë nëse Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, do të jetë në gjendje të çojë në fund këtë çështje, apo Britania do të shkojë në zgjedhje të reja ose në një referendum.

"Si botë e biznesit, ne po tërhiqemi drejt rreziqeve edhe më të mëdha ndërsa po rritet paqartësia", tha ai.

Britania e Madhe, siç është paraparë, me 31 tetor duhet të largohet nga BE, por trazirat brenda qeverisë britanike kanë ngritur mundësinë e një shtyrje tjetër të datës së divorcit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.