Politikë, Ekonomi

Trump: SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë Sirinë të suksesshme

"Duhet ta bëjmë Sirinë të funksionojë", tha presidenti amerikan Trump pas takimit me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë

Michael Gabriel Hernandez  | 11.11.2025 - Përdıtësım : 11.11.2025
Trump: SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë Sirinë të suksesshme

Washington DC

SHBA-ja do të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm për të ndihmuar Sirinë, ndërsa ajo del nga dekadat e sundimit të familjes Assad, tha presidenti amerikan Donald Trump të hënën pas takimit me dyer të mbyllura me homologun e tij sirian, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit me presidentin Ahmed al-Sharaa për gati dy orë, Trump tha se administrata e tij do të "bëjë gjithçka që mundet për ta bërë Sirinë të suksesshme", duke e cilësuar Al-Sharaan si "një udhëheqës shumë të fortë".

"Ai vjen nga një vend shumë i vështirë dhe është një djalë i fortë. Më pëlqeu. Unë shkoj mirë me të, me presidentin e ri në Siri", tha Trump në Zyrën Ovale.

Trump parashikoi njoftimet e ardhshme mbi Sirinë, por nuk i detajoi ato, duke thënë vetëm se "ne duam ta shohim Sirinë të bëhet një vend shumë i suksesshëm dhe mendoj se ky udhëheqës mund ta bëjë këtë".

"Ai ka patur një të kaluar të vështirë. Dhe mendoj, sinqerisht, nëse nuk do të kishe një të kaluar të vështirë, nuk do të kishe asnjë shans. Ai shkon shumë mirë me Turqinë, me presidentin (Recep Tayyip) Erdogan, i cili është një udhëheqës i shkëlqyer. Erdogan është udhëheqës i shkëlqyer. Dhe shumë në favor të asaj që po ndodh në Siri. Ne duhet ta bëjmë Sirinë të funksionojë", tha ai.

"Siria është pjesë e madhe e Lindjes së Mesme dhe do t'ju them, mendoj se po funksionon. Dhe vërtet mirë. Po punojmë edhe me Izraelin, e dini, të shkojmë mirë me Sirinë, të shkojmë mirë me të gjithë. Dhe kjo po funksionon në mënyrë të mrekullueshme", shtoi presidenti amerikan.

Vizita e Al-Sharaas ishte e para e një udhëheqësi sirian në Shtëpinë e Bardhë që kur vendi fitoi pavarësinë gati 80 vjet më parë.

Al-Sharaa dhe Trump pritej të përqendroheshin në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë sundimit të regjimit të Asadit që shkatërruan ekonominë siriane, përpjekjet për ta përfshirë zyrtarisht Damaskun në koalicionin anti-DEASH dhe bisedimet e mundshme për normalizimin me Izraelin, një nga qëllimet e deklaruara të Trumpit.

Administrata e Trumpit ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Sirinë dhe udhëheqësin e saj ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri në historinë e tij pas më shumë se 13 vitesh lufte civile brutale, përfshirë heqjen e disa sanksioneve.

Trump filloi procesin e heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Sirisë pas një takimi me Al-Sharaan në maj në Arabinë Saudite. Pas atij takimi, presidenti amerikan e përshkroi homologun e tij sirian si një "djalë të ri, tërheqës, djalë të ashpër, me të kaluar të fortë", duke sinjalizuar një largim dramatik nga dekadat e armiqësisë që kishin përcaktuar marrëdhëniet SHBA-Siri nën Assadin.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.