Ekonomi

Shtrenjtohet nafta pasi ministri i ri saudit zotohet të vazhdojë shkurtimet

Princi Abdulaziz bin Salman deklaroi se "nuk do të ketë ndryshime radikale" në marrëveshjen e OPEC-ut për shkurtimin e prodhimit

Övünç Kutlu   | 10.09.2019
Shtrenjtohet nafta pasi ministri i ri saudit zotohet të vazhdojë shkurtimet

Ankara

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje pasi ministri i ri i energjisë i Arabisë Saudite u zotua se do të vazhdojë politikën e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) për shkurtimin e prodhimit për të mbështetur çmimet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çmimi i naftës Brent të hënën është rritur për 1,52% duke u mbyllur në 62,67 dollarë për fuçi. Ky çmim shënoi rritje edhe të martën në mëngjes duke arritur në 62,84 dollarë për fuçi.

Princi Abdulaziz bin Salman të dielën u emërua ministër i ri i energjisë në Arabinë Saudite, duke zëvendësuar ish-ministrin Khalid al-Falih i cili kryesoi me marrëveshjen për shkurtimin e prodhimit mes vendeve të OPEC-ut dhe atyre jashtë OPEC-ut.

Abdulaziz është djali i mbretit të Arabisë Saudite dhe gjysmë-vëllai i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Abdulaziz u zotua se nuk do të ketë "ndryshime radikale" në marrëveshjen e OPEC-ut për të shkurtuar prodhimin.

Duke folur gjatë Kongresit Botëror të Energjisë në Abu Dhabi, ministri i ri tha se marrëveshja e prodhimit e grupit të quajtur OPEC+ ka tendencë që të "qëndrojë për një kohë të gjatë".

Vendet prodhuese të naftës OPEC+, ku bën pjesë edhe Rusia, në fillim të korrikut u pajtuan që të ulin sasinë e prodhimit të përgjithshëm për 1,2 milionë fuçi në ditë deri në fund të marsit të vitit 2020.

Përderisa vendet e OPEC+ kanë nevojë që çmimet e naftës të rriten për të rritur edhe të ardhurat shtetërore, Arabia Saudite gjithashtu dëshiron të realizojë ofertën fillestare publike të kompanisë shtetërore Aramco në muajin nëntor në bursën saudite, Tadawul.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın