Bota, Ekonomi

SHBA vazhdon sanksionet ndaj Iranit përkundër koronavirusit

"SHBA-të vazhduan katër kufizime ndaj programit bërthamor të regjimit iranian për 60 ditë të tjera", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus

Beyza Binnur Dönmez  | 01.04.2020 - Përdıtësım : 01.04.2020
SHBA vazhdon sanksionet ndaj Iranit përkundër koronavirusit

Ankara

Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se Washingtoni ka vazhduar disa sanksione kundër programit bërthamor të Iranit në mes të pandemisë globale të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

"SHBA-të vazhduan katër kufizime ndaj programit bërthamor të regjimit iranian për 60 ditë të tjera", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus në një deklaratë.

Pavarësisht raporteve në media, SHBA ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht se disa bizneseve amerikane dhe të huaja u është dhënë leje për të bërë biznes me Iranin.

Sipas gazetës politike amerikane "The Hill", vendimi i heqjes dorë u kundërshtua nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, por Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin mbrojti domosdoshmërinë e vazhdimit të sanksioneve në vazhdën e kritikave të rënda me të cilën u ballafaqua administrata e Trump-it.

Irani, Kina, Rusia dhe një numër vendesh të tjera kanë qenë të zëshme për heqjen e sanksioneve amerikane në një kohë kur vendet po luftojnë kundër përhapjes së koronavirusit.

Vërejtjet e zëdhënëses Ortagus erdhën disa ditë pasi ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif fajësoi sanksionet e SHBA-së, të cilat pamundësojnë Iranin që të furnizohet me pajisje mjekësore për të luftuar koronavirusin.

Zarif akuzoi SHBA-të për "terror mjekësor", duke postuar në Twitter: "Kjo madje tejkalon atë që do të lejohej në fushën e betejës".

Ortagus kundërshtoi përpjekjet e vazhdueshme iraniane për zgjerimin e pasurimit bërthamor.

"Zgjerimi i vazhdueshëm i veprimtarive bërthamore të Iranit është i papranueshëm. Kërcënimet bërthamore të regjimit janë ndër kërcënimet më të mëdha për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", tha ajo.

Duke potencuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ajo theksoi se Irani "kurrë nuk do të lejohet" të ketë armë bërthamore.

Ortagus tha se SHBA do të vazhdojë "të përdorë gamën e plotë të mjeteve diplomatike dhe ekonomike për të kufizuar veprimtaritë destabilizuese të Iranit" dhe "do të monitorojnë nga afër të gjitha zhvillimet rreth programit bërthamor të Iranit".

Ajo shtoi se kufizimet e tanishme mund të rregullohen "në çdo kohë".

Javën e kaluar, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet bëri thirrje për lehtësimin e sanksioneve kundër disa vendeve përfshirë Iranin, për t'iu mundësuar kujdesit të tyre shëndetësor të luftojnë sëmundjen dhe të kufizojnë përhapjen globale të COVID-19.

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzuan që nga maji i vitit 2018, kur Trump u tërhoq nga pakti bërthamor i fuqive botërore të arritur me Iranin për parandalimin e programit të tij bërthamor në këmbim të miliarda dollarëve në lehtësim nga sanksionet ekonomike.

Që nga ajo kohë, Trump ka filluar një fushatë për ndryshimin e marrëveshjes, përfshirë edhe rivendosjen e sanksioneve të naftës së papërpunuar iraniane që u hoq si pjesë e marrëveshjes.

Irani është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi me 2.898 vdekje dhe me raste të konfirmuara që arrijnë shifrën në 44.606.

Pasi u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në të paktën 200 vende dhe rajone të botës, tregojnë të dhënat nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA.

Të dhënat tregojnë se më shumë se 788.500 raste janë raportuar në të gjithë botën deri më tani, me numrin e vdekjeve afër 38.000 dhe pothuajse 167.000 të shëruar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın