Ekonomi

Prishtina dhe Shkupi bien dakord për heqjen e barrierave doganore

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala ka takuar të martën homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, me të cilin janë pajtuar për heqjen e barrierave doganore më së largu deri në fund të kësaj jave

Agim Sulaj   | 20.08.2019
Prishtina dhe Shkupi bien dakord për heqjen e barrierave doganore ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka pritur në takim ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, të martën në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit që ka zgjatur rreth dy orë në ambientet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ministrat deklaruan se kanë marrë vendim për heqjen e masave doganore ndaj njëri-tjetrit.

Ministri Endrit Shala tha se një gjë e tillë do të ndodhë jo më larg se këtë fundjavë. “Ne jemi dakorduar që deri në fund të kësaj jave, Agjencia jonë t’i përfundojë detyrat e veta dhe pas kësaj Agjencia e Veterinarisë së Maqedonisë së Veriut ta heq atë barrierë që e ka me Republikën e Kosovës”, tha Shala.

Shala tha se pas kësaj edhe Kosova do ta eliminojë masën e vendosur ndaj produkteve të Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, tha se masa nuk është ndërmarrë vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjitha shtetet që nuk e implementojnë monitorimin aktiv sa i përket vezëve të peshkut.

“U dakorduam me ministrin Shala, që gjatë periudhës që vijon Agjencia e Ushqimit e Veterinarisë e Republikës së Kosovës të implementojë apo të përgatisë programin sa i përket monitorimit aktiv sa i përket produkteve të theksuara më herët dhe në atë moment kur AUV do të dëshmojë se fillon me implementimin e programit, me siguri që ne si Qeveri apo Agjenci në kuadër të Maqedonisë së Veriut do të lejojmë importin e këtyre produkteve në vendin tonë”, tha Bekteshi.

Bekteshi tha se Maqedonia e Veriut pret që në shtator të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian (BE), ndërsa kanë qenë të obliguar t’i implementojnë këto masa pasi kanë marrë obligime konkrete.

Maqedonia e Veriut vendimin për ndalimin e eksportit të rasatit të peshkut nga Kosova e kishte ndërmarrë më 20 qershor. Ndërsa pas disa paralajmërimeve nga Kosova pa ndonjë rezultat, ministri i MTI-së, Endrit Shala mori vendim më 16 gusht për ndalimin e eksportit të mjaltit dhe patates nga Maqedonia e Veriut.







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın