Ekonomi

Oda e gjeodetëve bëhet anëtarja e 35-të e Lidhjes së Odave Ekonomike

Marrëveshjen për anëtarësimin e nënshkruan kryetari i Odës së gjeodetëve, Goran Jovanoski, dhe kryetarja e LOE-së, Danella Arsovska

Abdula Berisha   | 08.08.2019
Oda e gjeodetëve bëhet anëtarja e 35-të e Lidhjes së Odave Ekonomike

Shkup

Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE) të Maqedonisë së Veriut i është bashkëngjitur edhe anëtarja e 35-të, respektivisht Oda ekonomike e gjeodetëve të autorizuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshjen për anëtarësimin e nënshkruan kryetari i Odës së gjeodetëve, Goran Jovanoski, dhe kryetarja e LOE-së, Danella Arsovska, pas çka ata mbajtën një konferencë të përbashkët.

Arsovska tha se pas bisedimeve të zhvilluara, është konstatuar rëndësia e bashkëpunimit, veçanërisht gjatë mbrojtjes së pronës private.

"Puna e tyre, në pjesën më të madhe përpos regjistrimit dhe zgjidhjes së çështjeve pronësore, ndërlidhet edhe me bashkëpunimin me një numër të madh të institucioneve, mes tjerash edhe me (agjencinë për) kadastrën e patundshmërive, dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të prodhojmë rezultate me të cilat jo vetëm që do të arrijmë ta ngremë profesionin në një nivel më të lartë, por do të zbatojmë praktika që janë jo vetëm evropiane, por edhe botërore", tha Arsovska.

Jovanoski tha se Oda e gjeodetëve është e përkushtuar në promovimin e veprimtarisë që ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me më shumë sfera ekonomikë, siç janë edukimi i kompanive, avancimi i rregullativës dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

"Në realizimin e këtyre qëllimeve, partneriteti me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë (së Veriut) ka rëndësi të veçantë dhe bashkëpunimi i ardhshëm bazohet në përforcimin e rolit të anëtarëve tanë në zhvillimin ekonomik, veçanërisht në rrjetëzimin dhe krijimin e partneriteteve me kompanitë-anëtare të Lidhjes", tha Jovanoski.

Ai paralajmëroi se vitin e ardhshëm, në fillim të muajit prill, Oda e Gjeodetëve e Maqedonisë së Veriut do të organizojë konferencë ndërkombëtare me Këshillim e Gjeodetëve të Evropës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.