Fatjon Cuka
25 Maj 2016•Përditësim: 25 Maj 2016
TIRANË (AA) - Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë organizuar sot në Tiranë konferencën e parë ndërkombëtare me temë: “Bankingu Dixhital në Shqipëri”, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, ku fillimisht ka prezantuar qëllimet e mbajtjes së kësaj konference dhe panelistët që do të flasin rreth temës së konferencës. Ajo më tej ka pohuar se ky aktivitet synon të mbledhë së bashku pjesëmarrës nga institucionet shtetërore, sektori bankar dhe kompani të ndryshme të cilat ofrojnë produkte dhe shërbime në fushën e teknologjisë së inovacionit.
Christian Canacaris, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, gjatë fjalës së tij u shpreh se teknologjia sot kontribuon në aktivitet bankare në shumë forma, duke përfshirë edhe veprimet në pajisjet mobile.
Pas fjalës përshëndetëse që ka mbajtur Gjoni dhe Canacaris, konferenca ka vazhduar me panelin e ekspertëve ku në fokus kanë qenë tema si transformimet dixhitale në industrinë bankare dhe eksperiencat me shërbimet dixhatale në Shqipëri.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Qeveria Shqiptare, Banka Qendrore Evropiane, Federata Evropiane Bankare, përfaqësues të sektorit bankar në vend, etj.