Ekonomi

Në epokën e ndryshimeve, Frankfurti pretendon të rrëmbejë kurorën financiare

Si kandidat për të qenë qendër financiare e Evropës, Frankfurti parapëlqen të jetë shtëpia e Bankës Qendrore Evropiane, Bursës Gjermane dhe degëve të bankave qendrore të huaja që veprojnë në qytet

Aysu Biçer  | 13.11.2019 - Përdıtësım : 14.11.2019
Në epokën e ndryshimeve, Frankfurti pretendon të rrëmbejë kurorën financiare ( Aysu Biçer - Anadolu Agency )

Ankara

Me zvarritjen e procesit të Brexit-it që fundos pozicionin e Londrës çdo ditë, pretendimet e Gjermanisë për t'u bërë qendër financiare e Evropës po rriten dhe gjasat veçanërisht çojnë në qytetin e saj qendror të Frankfurtit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Frankfurti, si qendër financiare e Bashkimit Evropian po hyn në një epokë të re emocionuese përplot me të panjohura pasi Banka Qendrore Evropiane (BQE) u bë me drejtuesen e re, Christine Lagarde, e cila dikur drejtonte FMN ndërsa tani pason Mario Draghi-n.

Pozicioni i ri i Lagarde-s konsiderohet i rëndësishëm për ndryshimin e misionit të bankave qendrore në të gjithë globin, veçanërisht pas krizës financiare globale të vitit 2008, duke u përqendruar në komunikimin strategjik dhe koordinimin me të gjitha institucionet e tjera ekonomike, para zbatimit të politikave të rrepta monetare.

Edhe pse Lagarde mund të mos duket si opsioni më i mirë për BQE-në, ajo posedon aftësi të caktuara që është vështirë të injorohen, përfshirë reputacionin e saj ndërkombëtar dhe njohjen e thellë të diplomacisë.

Gazetarët e AA-së ishin midis të ftuarve në një seminar të BQE-së javën e kaluar në Frankfurt. Gazetarë nga e gjithë bota morën pjesë në ngjarje dhe të gjithë kishin një pyetje në mendjen e tyre: Nëse BQE do të bëhet më vitale se kurrë për ekonominë evropiane.

Seminari u zhvillua me rregulla që do të përdoren vetëm si sfond, kështu që pjesa në vazhdim do të përfshijë diskutimin në terma të përgjithshëm.

BQE rrit rëndësinë politike për shkak të Brexit-it

BQE është institucioni qendror i Unionit Ekonomik dhe Monetar dhe ka qenë përgjegjëse për udhëheqjen e politikës monetare për zonën e euros që nga viti 1999.

Aktualisht 116 grupe bankare në 19 vende janë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të BQE-së dhe afër 82 për qind e aktiveve bankare të zonës së euros i nënshtrohen mbikëqyrjes së drejtpërdrejt të bankës.

Si mbikëqyrës bankar, BQE gjithashtu ka një rol këshillues në vlerësimin e planeve të zgjidhjes së institucioneve të kredisë. Kjo është një arsye pse rolet mbivendosëse të bankës krijojnë konflikte të mundshme interesi.

Që nga kriza financiare e vitit 2008, shumë analistë kanë kritikuar politikat e bankës, duke treguar mungesë të përgjegjësisë dhe kështu duke i bërë kërkesat demokratike për politikbërjen e BQE-së më kritike se kurrë.

Derisa Britania e Madhe votoi divorcin nga BE-ja, u përpiluan disa plane që disa institucione financiare të transferohen nga qyteti i Londrës në qendrën e biznesit të Frankfurtit, Mainhattan. (Fjala ndërlidhë emrin e lumit Main, i cili rrjedh nëpër Frankfurt dhe ka peizazhin e tij të ngjashëm me lagjen e New Yorkut).

Megjithëse, Britania nuk ishte asnjëherë pjesë e projektit të monedhës së vetme të Evropës, vendimet financiare të BE-së gjithmonë kishin një efekt ndaj saj përmes tregtisë dhe taksave.

Problemet e vazhdueshme të euros si dhe zhvillimet më të fundit në Britani, e kanë vendosur BQE-në në zemër të konflikteve të mundshme të interesit.

BQE ka kohë që është mbështetur në politikën monetare dhe ka lindur një pyetje në vazhdën e zhvillimeve të fundit: Si do të arrijë banka të pozicionohet në një epokë të re, ku priten politika më aktive fiskale.

Duket se përgjigjja rreth kësaj mund të duket gjatë periudhës së pasigurisë që mbizotëron në të gjithë botën.

Sidoqoftë, një gjë është e qartë, përkatësisht që BQE, nën drejtimin e Lagarde-s, do të përqendrohet në hartimin e programeve të rregullimit makro-ekonomik dhe kompletimin e Unionit Bankar, i cili u inicua në vitin 2012 si përgjigje ndaj krizës së zonës së euros.

Qëllimi i Unionit Bankar është të transferojë përgjegjësinë për politikën bankare nga niveli kombëtar në nivelin e BE-së në disa vende të BE-së, të kujdeset për brishtësinë në bankat në zonën e euros dhe të diagnostikojë ciklin rreth kushteve të kredisë për këto banka.

Derisa tabloja politike po ndryshon, do të ishte më sfiduese për BQE-në që të zhvillojë një qeverisje më konstruktive. Por, mund të thuhet se do të përpiqet të diversifikojë qasjen e saj drejt zgjidhjeve që adresojnë mangësitë në sistemin bankar në zonën e euros.

Bankat me qendër në Britani duhet të kenë zhvendosur rreth 1.3 trilionë euro (1.4 trilionë dollarë) pasuri në zonën e euros deri në kohën kur Britania të largohet nga blloku, nëse kjo ndodh, sipas Andrea Enria, shefi i mbikëqyrës i BQE-së.

Në këtë rast, BQE do të presë se çfarë do të ndodhë mes pasigurisë së Brexit-it, duke vendosur dy iniciativat kryesore të Unionit Bankar - Mekanizmin Unik të Mbikëqyrjes dhe Mekanizmin Unik të Zgjidhjes, në një qendër të vëmendjes më të theksuar se kurrë më parë.

Frankfurti, metropoli financiar

Qyteti gjerman në pamje të parë duket si një qytet klasik evropian me stacione të vjetra trenash, duke ruajtur trashëgiminë e tij tradicionale e kulturore.

Por, duke ecur më thellë brenda qytetit, has në kriteret e kapitalizmit, të tilla si rrokaqiejt që bien në sy, dyqanet për të rriturit, dyqanet e lira të ushqimit të shpejtë dhe kompanitë e markave me pakicë.

Si kandidat për të qenë qendër financiare e Evropës, Frankfurti parapëlqen të jetë shtëpia e BQE-së, Bursës Gjermane dhe degëve të bankave qendrore të huaja që veprojnë në qytet.

E rrethuar me vizitorë dhe lojtarët kryesorë të financave evropiane, pamja e "Bankfurt" të bën që të ndjehesh sikur në New York apo Dubai.

Frankfurti mban fuqishëm pozicionin e tij drejtues në sektorin e financave, duke ofruar mundësi të mëdha në kërkime, arsim dhe punësim.

Universiteti "Goethe" dhe Shkolla e Financave dhe e Menaxhimit në Frankfurt meritojnë të atribuohen në këtë drejtim, pasi ato ofrojnë ambiente të përshtatshme dhe tërheqëse për punë studimore.

Sipas Zyrës së Statistikave të Gjermanisë, mbi 26 mijë studentë ndërkombëtarë u diplomuan në administrimin e biznesit në Gjermani në semestrin dimëror 2017-2018, më shumë se në çdo lëndë tjetër. Kjo tregon një rritje prej 4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Qyteti gjithashtu ofron turne me ciceron për entuziastët që dëshirojnë të vizitojnë monumente siç janë indeksi gjerman i aksioneve DAX, Dojçe Bank dhe Muzeu i Parave të Bundesbank.

Ndërsa Britania është e preokupuar me zvarritjen e Brexit-it, Frankfurti është gati të rrëmbejë kurorën si qendër financiare e botës.

Për këtë qëllim, qyteti gjerman mund të përfitojë nga hapja e selisë së BQE-së, e cila qëndron në shtëpinë e saj të re në qendër të qytetit me një ndërtesë moderne, të inauguruar në vitin 2015.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.