Politikë, Ekonomi

Kryeministri australian në samitin e NATO-s akuzon Kinën për "shtrëngim ekonomik"

Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se Australia ka qenë subjekt i "shtrëngimit ekonomik" nga Kina. Ai u kërkoi liderëve demokratë të ndjekin "diversifikimin e tregtisë" për të kundërshtuar lëvizje të tilla

Riyaz Khaliq Khaliq   | 30.06.2022
Kryeministri australian në samitin e NATO-s akuzon Kinën për "shtrëngim ekonomik"

Istanbul

Australia në samitin e NATO-s, që po mbahet në Madrid, ka akuzuar Kinën për "shtrëngim ekonomik", duke deklaruar se "ambiciet dhe politikat shtrënguese" të Pekinit sfidojnë "interesat, sigurinë dhe vlerat tona", transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se Australia ka qenë subjekt i "shtrëngimit ekonomik" nga Kina. Ai u kërkoi liderëve demokratë të ndjekin "zgjerimin e tregtisë" për të kundërshtuar lëvizje të tilla.

Deklarata vjen pasi marrëdhëniet dypalëshe midis Kinës dhe Australisë u përkeqësuan nën administrimin e paraardhësit të kryeministrit australian, Scott Morrison, derisa Australia po bënte presion për një hetim mbi origjinën e koronavirusit COVID-19, rastet e para të të cilit u raportuan nga qyteti kinez Wuhan në dhjetor të vitit 2019.

Kryeministri Albanese në samitin e NATO-s tha se Kina "synon të bëhet kombi më i fuqishëm në botë".

"Forcimi i marrëdhënieve midis Pekinit dhe Moskës përbën një rrezik për të gjitha kombet demokratike", tha Albanese, duke shtuar se Kina nuk e ka dënuar Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Sipas transmetuesit australian ‘SBS News’, Albanese tha se "ashtu siç Rusia kërkon të ri-krijojë një perandori ruse ose sovjetike, edhe qeveria kineze po kërkon miq, qoftë përmes mbështetjes ekonomike për të ndërtuar aleanca për të minuar atë që historikisht ka qenë aleanca perëndimore në vende si Indo-Paqësori".

Marrëdhëniet dypalëshe në rënie kanë ndikuar negativisht në tregtinë midis dy vendeve, derisa sondazhet e fundit të realizuara në Australi sugjerojnë se shumica e qytetarëve të saj e shohin Kinën si një "kërcënim ushtarak" për vendin.

Deficiti i besimit vjen pasi Australia i afrohet SHBA-së si pjesë e të ashtuquajturës ‘Quad’, aleancës së lirë të sigurisë së SHBA-së, Australisë, Japonisë dhe Indisë për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në rajonin më të gjerë të Azi-Paqësorit.

Australia po ashtu do të marrë tani nëndetëse me energji bërthamore sipas një marrëveshjeje me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar të quajtur ‘AUKUS’, e nënshkruar vitin e kaluar.

Derisa investimet kineze në Australi kanë shënuar rënie, Pekini po lundron rreth Paqësorit duke ndërtuar aleanca me kombet ishullore. Ajo nënshkroi një marrëveshje të sigurisë me Ishujt Solomon dhe po synon një marrëveshje tregtare mbarë-rajonale me dhjetë kombe ishullore të Paqësorit jugor.

Në Konceptin Strategjik 2022 të saj, planin e saj për dekadën e ardhshme, NATO akuzoi Pekinin për "operacione dashakeqe hibride e kibernetike, retorikë konfrontuese dhe dezinformimin për të synuar aleatët dhe për të dëmtuar sigurinë e Aleancës".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.