Ekonomi

Kosovë, kompanisë "Elektrosever" i jepet licenca për furnizim të 4 komunave veriore me energji elektrike

Më 28 dhjetor të 2020 “Drustvo Elektrosever” kishte dërguar në ZRRE aplikacionin për licencë për furnizim me energji elektrike

Agim Sulaj  | 24.06.2022 - Përdıtësım : 24.06.2022
Kosovë, kompanisë "Elektrosever" i jepet licenca për furnizim të 4 komunave veriore me energji elektrike

Prishtinë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të Kosovës ka miratuar kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për kompaninë serbe “Drustvo Elektrosever” për katër komunat veriore me shumicë të popullatës serbe, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel gjatë kësaj jave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me pesë vota 'për' dhe asnjë 'kundër', ZRRE-ja, e cila ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, ia ka dhënë të premten licencën me afat 5 vjeçar kompanisë “Drustvo Elektrosever” për furnizim me energji elektrike në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Më 28 dhjetor të 2020 “Drustvo Elektrosever” kishte dërguar në ZRRE aplikacionin për licencë për furnizim me energji elektrike.

“E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur”, ka thënë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, pas votimit nga anëtarët e bordit të ZRRE-së.

Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit kompanisë “Drustvo Elektrosever”.

Nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet që banorët e kësaj pjese të faturohen për shpenzimin e energjisë elektrike.

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë që u arrit në vitin 2013 dhe 2015, ndërsa u nënshkrua këtë javë nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kryesisht me shumicë serbe – nuk e kanë paguar rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Nga paslufta e vitit 1999 deri në vitin 2017, borxhin e energjisë elektrike për familjet që jetojnë në komunat me shumicë serbe të veriut të Kosovës, e kanë paguar qytetarët e Kosovës nga komunat në jug të Ibrit, ku faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Nga viti 2017 deri tani, faturat janë paguar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht Qeveria e Kosovës, ku vetëm në vitin 2021 humbjet kanë arritur në shumën prej 40 milionë eurosh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.