Ekonomi

Katarianët kanë 22 miliardë dollarë investime direkte dhe indirekte në Turqi

Ambasadori i Turqisë në Doha, Fikret Ozer: Katari është një prej vendeve që ka kryer investimet më të shpejta në kohën më të shkurtër në Turqi. Katari aktualisht ka 22 miliardë dollarë investime direkte dhe indirekte në Turqi

Zuhal Demirci   | 08.08.2019
Katarianët kanë 22 miliardë dollarë investime direkte dhe indirekte në Turqi

Ankara

ZUHAL DEMİRCİ

Ambasadori i Turqisë në Doha, Fikret Ozer, tha se "Katari është një nga vendet që ka kryer investimet më të shpejta në kohën më të shkurtër në Turqi. Katari aktualisht ka 22 miliardë dollarë investime direkte dhe indirekte në Turqi".

Özer, i cili ndodhet në Ankara për të marrë pjesë në Konferencën e 11-të të Ambasadorëve, i është përgjigjur pyetjeve të Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me pretendimet se Katari kohët e fundit ka filluar të tërheqë investimet e tij në Turqi, ambasadori Özer, tha se në lidhje me këtë çështje nuk i ka ardhur ndonjë informacion.

Pasi ka bërë të ditur se disa shtetas të Katarit mund të kenë pezulluar disa investime të tyre për shkak të lëvizshmërisë në kursin e dollarit në Turqi, Özer, është shprehur se "Si politikë zyrtare e shtetit të Katarit nuk bëhet fjalë për ndonjë situatë të tërheqjes së investimeve nga Turqia. Në këtë drejtim nuk është marrë ndonjë vendim politik".

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë afatgjata tha Özer, duke vlerësuar më tej se "Marrëdhëniet Turqi-Katar nuk janë ciklike, por strategjike".

Pasi ka tërhequr vëmendjen se Katari ashtu si në vitet e mëparshme, edhe këtë vit vazhdon të shprehë interes në mundësitë e turizmit në Turqi, Özer, ka theksuar: "Numri i qytetarëve të Katarit që kanë ardhur në Turqi në vitin 2016 ka qenë në 33 mijë. Në fund të vitit 2017 ky numër arriti në 45 mijë. Ndërsa vitin e kaluar më shumë se 100 mijë qytetarë të Katarit kanë udhëtuar për në Turqi".

"Katari, një prej vendeve me investimet me të shpejta në kohën më të shkurtër në Turqi"

Qytetarët e Katarit kanë një interes shumë të madh për Turqinë edhe në fushën e pasurive të patundshme, u shpreh Özer, i cili ka theksuar se "Në krahasim me vitin e kaluar ka rreth 200 për qind kërkesa për pasuri të patundshme në 6 muajt e parë të këtij viti. Këtë mund ta ndjekim edhe nga kërkesat intensive në procedurat në degat tona konsullore".

Duke vënë theksin se "Katari është një prej vendeve që ka kryer investimet më të shpejta në kohën më të shkurtër në Turqi", Özer tha më tej se "Katari aktualisht ka 22 miliardë dollarë investime direkte dhe indirekte në Turqi".

Pas embargos së zbatuar mbi Katarin nga disa vende të Gjirit, Turqia ka ofruar mbështetje në përballimin e nevojave emergjente kryesisht në produktet ushqimore, ka rikujtuar Özer duke nënvizuar se pas embargos ka pasur një kërcim në tregtinë midis dy vendeve.

"Sipas statistikave të dhjetorit 2016 para embargos, eksportet e Turqisë në Katar ishin 435 milionë dollarë. Pas embargos, eksportet tona u rritën në 750 milionë dollarë. Në fund të vitit të kaluar, kjo shifër u rrit në 1 miliard e 100 milionë dollarë. Kjo shifër duhet të rritet edhe më tej", është shprehur gjithashtu ambasadori Özer.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın