Ekonomi

Investimet e Turqisë në energjinë e rinovueshme arrijnë në 7 miliardë dollarë në 2020

Gjysma e kapaciteteve shtesë të energjisë së rinovueshme vitin e kaluar ishte nga hidrocentralet, ndërsa një kontribut të konsiderueshëm dhanë energjia e erës, diellit dhe biomasa

Nuran Erkul Kaya   | 21.01.2021
Investimet e Turqisë në energjinë e rinovueshme arrijnë në 7 miliardë dollarë në 2020

Stamboll

Turqia regjistroi shtimin më të madh të kapacitetit të energjisë së rinovueshme në një vit në vitin 2020 me rreth 4.800 megavat (MW) nga investimet që arrijnë në rreth 7 miliardë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjysma e kapaciteteve shtesë të energjisë së rinovueshme vitin e kaluar ishte nga hidrocentralet, ndërsa një kontribut të konsiderueshëm dhanë energjia e erës, diellit dhe biomasa.

Shtytja e investitorëve që të përfundojnë projektet e tyre në kohë për të përfituar nga Skema e Mbështetjes së Energjisë së Rinovueshme (YEKDEM), e cila pritej të skadonte më 31 dhjetor të vitit të kaluar, ishte ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së kapacitetit.

Motivimi i Turqisë për t'i dhënë fund skemës ishte për shkak të tregtisë së saj të bazuar në dollarë ndërsa pasiguria rreth skemës së zëvendësimit inkurajoi investitorët të përfundojnë projekte para datës së skadimit të skemës aktuale.

Fillimisht vendi njoftoi skadimin e Skemës së Mbështetjes së Energjisë së Rinovueshme (YEKDEM) më 31 dhjetor të vitit 2020. Megjithatë, afati u shty deri më 30 qershor 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila shkaktoi ndërprerje të zinxhirit të furnizimit veçanërisht në gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Skema YEKDEM, e cila filloi në vitin 2011, mbështet energjinë e erës dhe hidrocentralet me 0,073 dollarë për kilovat orë (kWh), impiantet gjeotermale me 0,105 dollarë për kW/orë dhe impiantet diellore dhe biomasës me 0,133 dollarë për kW/h. Këto shifra mund të ndryshojnë pak në varësi të përdorimit të pajisjeve të prodhuara në vend.

"Pothuajse e gjithë rritja e përgjithshme e kapacitetit të energjisë në Turqi vitin e kaluar ishte nga burimet e rinovueshme, e cila pati një prirje të jashtëzakonshme. Kjo rritje e kapaciteteve mundësoi rreth 6.5 deri në 7 miliardë dollarë investime në energjinë e rinovueshme”, deklaroi për AA, drejtuesja e Industrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore Deloitte të Turqisë, Elif Dusmez Tek.

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez gjatë një interviste më 30 dhjetor të vitit 2020, theksoi se raporti i burimeve të rinovueshme në fuqinë totale të instaluar arriti lartësinë më madhe të të gjitha kohërave prej 51.21 për qind ndërsa rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme tejkaloi atë të 21 vendeve në Evropë.

Të vazhdojë trendi i rritjes me bazë burimet e rinovueshme

Tek tha se në përputhje me planin strategjik të Ministrisë Turke të Energjisë dhe Burimeve Natyrore që mbulon periudhën 2019-2023, këtë vit në vend pritet një rritje prej rreth 2.100 MW e kapacitetit të energjisë.

"Vlerësohet se kjo shtesë të gjenerojë 2.5 miliardë dollarë investime, nga të cilat pritet që burimet e rinovueshme të prodhojnë shumicën", potencoi Tek.

Ajo më tej shtoi se këtë vit priten investime prej rreth 1.5 miliardë dollarë në sektorët e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë në Turqi.

Tek gjithashtu foli për ndikimet e COVID-19 në sektorin e energjisë, duke treguar rënien e kërkesës për shkak të aktiviteteve të vogla ekonomike.

"Shohim efekte të rënda të COVID-19 në sektorin e energjisë. Aktivitetet ekonomike janë ulur dhe vazhdojnë vështirësitë financiare të aktorëve të sektorit të energjisë. Aktualisht, nuk ka ndonjë plan tjetër të ri investimi në sektor përveç burimeve të rinovueshme", theksoi ajo. "Në periudhën pas COVID-19 kur aktivitetet ekonomik dhe kërkesa për energji të rimëkëmben shpejt, mund të paraqiten disa shqetësime rreth sigurisë së furnizimit", tha Tek.

Konsumi i energjisë i Turqisë vitin e kaluar u rrit me 0.14 për qind krahasuar me vitin 2019. Rritja e kërkesës për energji të Turqisë parashikohej të ishte nga 3 deri 5 për qind në vitin 2020 përpara efekteve të pandemisë së COVID-19.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın