Ekonomi

Funta pëson rënie pas kërkesës së Johnson për pezullimin e punimeve të parlamentit

Vlera e funtës ra për 0,70 për qind në raport me dollarin amerikan dhe euron pasi kryeministri i Britanisë njoftoi se ka kërkuar nga mbretëresha të pezullojë punimet e parlamentit në periudhën 9 shtator -14 tetor

Gökhan Kurtaran   | 28.08.2019
Funta pëson rënie pas kërkesës së Johnson për pezullimin e punimeve të parlamentit

Londër

Funta britanike ka pësuar rënie të konsiderueshme në vlerë pas kërkesës së kryeministrit Boris Johnson nga Mbretëresha Elizabeta e Dytë për të pezulluar punimet e parlamentit për një muaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Vlera e funtës ra për 0,70 për qind në raport me dollarin amerikan dhe euron pasi kryeministri i Britanisë, Johnson, përmes një letre dërguar ligjvënësve, njoftoi se ka kërkuar nga mbretëresha të pezullojë punimet e parlamentit në periudhën 9 shtator-14 tetor.

Sipas të dhënave të pasdites, vlera e funtës qëndronte në 1,10 kundrejt euros dhe 1,22 kundrejt dollarit. Ndërkaq, indeksi FTSE-100 u rrit për 0,34 për të arritur në 7.113,47.

Rritja në tregun e aksioneve në Mbretërinë e Bashkuar ndodh për shkak të ndikimit pozitiv të bilancit të kompanive, të ardhurat e të cilave janë në monedhë të huaj, nga rënia e funtës.

Ndryshe, nëse mbretëresha pranon kërkesën e kryeministrit Johnson, deputetët do të kenë një kohë të kufizuar për të miratuar një legjislacion që do të parandalojë një Brexit pa marrëveshje.

Ndërkohë, partitë opozitare vazhdojnë negociatat për të miratuar një legjislacion në parlament për të parandaluar Brexit-in pa marrëveshje.

Johnson ka deklaruar se do të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian deri më 31 tetor dhe se edhe pse është i sigurt në negociimin e një marrëveshjeje me Brukselin, ai gjithashtu po bën përgatitjet edhe për një Brexit pa marrëveshje.

Parlamenti i Britanisë ka refuzuar në mënyrë të përsëritur marrëveshjen e Brexit-it të kryeministres së mëparshme Theresa May.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın