Ekonomi

Banka Qendrore e Turqisë ul normën e interesit në 18 për qind

Komiteti i Politikës Monetare vendos të rishikojë qëndrimin e politikës monetare të bankës

Gökhan Ergöçün   | 23.09.2021
Banka Qendrore e Turqisë ul normën e interesit në 18 për qind

Stamboll

Banka Qendrore e Turqisë uli normën e repos njëjavore, e njohur gjithashtu si norma e interesit, me 100 pikë bazë në 18 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komiteti i Politikës Monetare në takimin e saj të nëntë këtë vit vlerësoi inflacionin bazë dhe tronditjet e ofertës të cilat mund të ndikohen nga politika monetare, dhe vendosi të rishikojë qëndrimin e politikës monetare të bankës.

"Në përputhje me rrethanat gjykohet se nevojitet një rishikim në qëndrimin e politikës monetare dhe vendosëm për uljen e normës së interesit", njoftoi banka.

Ajo e ka mbajtur normën e interesit të qëndrueshme gjatë pesë takimeve të mëparshme që kur u emërua guvernatori i deritashëm Şahap Kavcıoğlu.

Duke adresuar normalizimin e përbërjes së kërkesës në nivel global, banka tha se rritja e inflacionit global do të jetë kryesisht e përkohshme.

"Prandaj, bankat qendrore në ekonomitë e përparuara vazhdojnë qëndrimet e tyre mbështetëse monetare dhe programet e blerjes së aseteve", thuhet më tej.

Politika aktuale e shtrëngimit monetar dhe kërkesa e fortë e jashtme ndikuan pozitivisht në bilancin e llogarisë rrjedhëse, tha banka, duke shtuar: "Llogaria rrjedhëse pritet të ketë një suficit në pjesën tjetër të vitit për shkak të trendit të fortë të rritjes së eksporteve, si dhe përparimit në programin e vaksinimit që stimulon aktivitetet e turizmit".

Sipas një hulumtimi nga AA javën e kaluar, 18 ekonomistë nuk prisnin asnjë ndryshim në normën e repos njëjavore, ndërsa parashikimi i dy ekonomistëve ishte një rënie prej 100 pikësh bazë.

Në fillim të këtij viti, norma e interesit ishte 17 për qind, kurse në mars banka e ngriti normën në 19 për qind.

Norma vjetore e inflacionit në Turqi ishte 19,25 për qind në korrik, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Statistikor Turk (TurkStat).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.