Ekonomi

Apostollska: Rritet numri i investitorëve të interesuar nga jashtë

"Mund të them se tashmë ndjehet një interesim më intensiv nga investitorët e huaj. E gjithë kjo përmirëson stabilitetin politik dhe ekonomik", tha ministrja Apostollska

Husamedin Gina  | 09.04.2019 - Përdıtësım : 11.04.2019
Apostollska: Rritet numri i investitorëve të interesuar nga jashtë

Shkup

Ministrja pa Resor e angazhuar për Investime të Huaja, Zorica Apostollska ka deklaruar se për çdo ditë e më shumë rritet numri i kompanive që janë të interesuara për të investuar në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Fakulteti Ekonomik – Ljubljanë, sot në Odën Ekonomike të Maqedonisë (OEM) organizoi eventin "Ditët e Hapura të Biznesit 2019". Në një deklaratë për mediat, ministrja Apostollska tha se sipas një agjencie kreditore me renome, reputacioni i Maqedonisë së Veiut është i lartë dhe perceptohet si një nga destinacionet më tërheqëse për investime në Evropën Qendrore dhe atë Juglindore.

"Mund të them se tashmë ndjehet një interesim më intensiv nga investitorët e huaj. E gjithë kjo përmirëson stabilitetin politik dhe ekonomik dhe nga këto arsye mund të konfirmoj se nga dita në ditë rritet numri i investitorëve të interesuar”, tha Apostollska.

Andrea Kodrin, anëtare e Komisionit për Investime pranë Komisionit Evropian njëherësh themeluese e kompanisë "Millennium Knowledge", tha se për BE-në është një sfidë vërtetë e madhe çështja e arsimimit të kuadrove të reja.

"Kur flasim për Bashkimin Evropian duhet të kemi parasysh se ka tri fusha të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me vende siç është Maqedonia e Veriut. E para është paqja, që do të thotë stabilitet dhe siguri, së dyti, është tregu i përbashkët i cili ka 508 milionë qytetarë të Unionit dhe e treta janë fondet dhe investimet", tha Kodrin, duke shtuar se të gjitha këto i lidh arsimimi, i cili mbetet një sfidë e madhe.

Metka Tekaviq në cilësi të dekanes së Fakultetit Ekonomik të Lubjanës, tha se kanë ardhur në Shkup për të prezantuar mundësitë e Fakultetit Ekonomik, programet e tyre arsimore dhe gjithashtu të diskutojnë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.