Ekonomi

Angjushev: Burimet e rinovueshme të energjisë i kemi në bollëk

Zv/kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, në hapjen e panairit ndërkombëtar "Renexpo", tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut angazohet për burime të rinovueshme të energjisë

Abdula Berisha   | 03.12.2019
Angjushev: Burimet e rinovueshme të energjisë i kemi në bollëk Foto: Abdula Berisha/AA

Shkup

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, bashkë me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kanë marrë pjesë në hapjen e panairit ndërkombëtar "Renexpo", i cili fokusohet në burimet e rinovueshme të energjisë dhe organizohet për herë të parë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke uruar mbarëvajtje të panairit, zv/kryeministri Angjushev tha se me prezencën e tyre, zyrtarët qeveritarë dëshirojnë të shfaqin angazhimin e qeverisë për burimet e rinovueshme të energjisë.

Ai tha se me ligjin e energjisë të miratuar vitin e kaluar, është zgjeruar hapësira për investime në burime të rinovueshme të energjisë, ndërsa foli edhe për strategjinë e re për energjetikë, e cila duhet të miratohet deri në fund të këtij viti. Angjushev tha se në këtë strategji theksohen resurset e kufizuara me të cilat disponon Maqedonia e Veriut, por edhe për parësitë që ka për burimet e rinovueshme të energjisë.

"Аlternativa që na ofrohet janë burimet e rinovueshme të energjisë të cilat për fat të mirë i kemi në bollëk, veçanërisht në pjesën e diellit. Në rastin e hidrocentraleve të vogla, mund të them që tashmë janë ndërtuar një pjesë e mirë në vendin tonë. 72 hidrocentrale janë në funksion, rreth 30 janë aktualisht në ndërtim e sipër, por hidrocentrale mund të bëni aq sa keni lumenj dhe male, gjë që për fat të keq është e kufizuar gjeografikisht", tha Angjushev.

Duke rikujtuar se Maqedonia e Veriut më herët nuk ishte në një pozitë të mirë sa i përket burimeve të rinovueshme të energjisë, ministri Bekteshi gjatë panelit të diskutimit në kuadër të panairit tha se me miratimin e ligjit të ri për energji, fokusi është vendosur te tranzicioni energjetik.

"Jam shumë i kënaqur, duke pasur parasysh se në një periudhë 2 vjeçare, ne kemi miratuar tashmë ligjin e ri, kemi miratuar të gjitha aktet nënligjore që kanë të bëjnë kryesisht me energjinë e rinovueshme. Përveç kësaj, në seancën qeveritare dy javë më parë, ne kemi miratuar ligjin e ri për efikasitetin e energjisë, ku parashikohen masa konkrete që duhet të ndërmarrim në mënyrë që të jemi më efikas në konsumimin e energjisë", tha Bekteshi.

Johann-Georg Röhm, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë REECO International e cila organizon panairin "Renexpo", tha se panairi është një vendtakim i specialistëve dhe kompanive të sferës së burimeve të rinovueshme të energjisë nga rajoni dhe Evropa, duke shtuar se më herët ky panair është mbajtur edhe në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ai gjithashtu tha se në panair marrin pjesë rreth 40 ekspozues nga dhjetë shtete evropiane, duke shtuar se në gjashtë konferencat që organizohen në kuadër të panairit, pritet që të marrin pjesë rreth 1.000 ekspertë.

Fjalim përshëdetës kishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Shkup, Thomas Gerberich. Duke rikujtuar se Gjermania është partneri kryesor tregtar i Maqedonisë së Veriut, Gerberich tha se shpreson që panairi "Renexpo" do të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.