Ekonomi

"Afrika vuan ndikimet më të këqija nga ndryshimet klimatike"

Duke folur në Samitin e Liderëve për Klimën përmes video-konferencës, Adesina tha se AfDB është zotuar për 25 miliardë dollarë për financimin mbi klimën gjatë katër viteve të ardhshme

Felix Nkambeh Tih   | 23.04.2021
"Afrika vuan ndikimet më të këqija nga ndryshimet klimatike"

Ankara

Pavarësisht se emeton sasinë më të ulët të karbonit për kokë banori në botë, Afrika vuan ndikimin më të keq të ndryshimeve klimatike, përfshirë thatësira dhe përmbytje, pushtime karkalecash, njoftoi kreu i Grupit të Bankës Afrikane të Zhvillimit (AfDB), Akinwumi Adesina, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Samitin e Liderëve për Klimën përmes video-konferencës, Adesina tha se AfDB është zotuar për 25 miliardë dollarë për financimin lidhur me klimën gjatë katër viteve të ardhshme.

"Pjesa jonë e financimit kushtuar klimës u rrit nga 9 për qind në vitin 2016 në 35 për qind në vitin 2019 dhe do të arrijmë 40 për qind në vitin 2021", shtoi Adesina.

Presidenti i Gabonit, Ali Bongo Ondimba tha se lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të intensifikohet dhe të shërbejë si një mundësi zhvillimi për Afrikën.

"Vendet në zhvillim shpesh vuajnë më së shumti nga efektet shkatërruese të ndryshimit të klimës në formën e thatësirës, stuhive ekstreme dhe ngritjes së nivelit të detit", theksoi presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

"Si pasojë, ekonomitë e zhvilluara kanë përgjegjësi të mbështesin ekonomitë në zhvillim për t'u mundësuar atyre zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike", shtoi Ramaphosa.

Ai u bëri thirrje të gjitha ekonomive të zhvilluara, për të cilat tha se mbanin përgjegjësinë më të madhe historike mbi emetimet, të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj ekonomive në zhvillim.

Sipas tij, kjo do të jetë jetike për rivendosjen e lidhjeve të besimit midis ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

"Siç kemi bërë që nga koha e Nelson Mandelas, Afrika e Jugut është e gatshme të punojë me kombet e tjera në ndërtimin e urave për të gjetur zgjidhje që sigurojnë të ardhmen e njerëzimit", shtoi Ramaphosa.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın