Bota

"Zyrtarët e SHBA-ve, Izraelit dhe EBA-së u takuan fshehurazi për Iranin"

Në takimin e mbajtur më 17 dhjetor u trajtua koordinimi kundër Iranit dhe “diskutimi i një pakti joagresiviteti midis EBA-së dhe Izraelit”

Servet Günerigök  | 05.02.2020 - Përdıtësım : 05.02.2020
"Zyrtarët e SHBA-ve, Izraelit dhe EBA-së u takuan fshehurazi për Iranin"

Washington

Sipas një ueb faqeje amerikane të lajmeve, zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë zhvilluar një takim “sekret” në Shtëpinë e Bardhë në muajin dhjetor për të diskutuar mbi Iranin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke cituar zyrtarë të paemëruar izraelitë dhe amerikanë, ueb faqja e lajmeve “Axios” raportoi se në takimin e mbajtur më 17 dhjetor u trajtua koordinimi kundër Iranit dhe “diskutimi i një pakti joagresiviteti midis EBA-së dhe Izraelit”.

Sipas raportit, ekipi amerikan përfshinte këshilltarin e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, zëvendësen e tij, Victoria Coates dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve në Iran, Brian Hook.

Në takim po ashtu ishte i pranishëm këshilltari i kryeministrit izraelit, Meir Ben-Shabbat si dhe këshilltari për sigurinë dhe ambasadori i EBA-së në SHBA, Yousef Al Otaiba.

Axios tha se Otaiba është një “këshilltar shumë i ngushtë” i Princit të Kurorës së EBA-së, Mohammed bin Zayed.

Otaiba ishte i pranishëm edhe kur presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar prezantoi planin e njëanshëm Izrael-Palestinë në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Raporti thotë se Netanyahu ka punuar shumë për të forcuar një aleancë klandestine me EBA-në kundër Teheranit, duke shtuar se masa ndodhi në një konferencë të udhëhequr nga SHBA-të në Varshavë të Polonisë.

Konferenca e muajit shkurt të vitit 2019 kishte për qëllim izolimin e Iranit në Lindjen e Mesme dhe sipas raportit, administrata e presidentit Trump vendosi të krijojë një forum trepalësh pas konferencës.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.