Bota

Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë mbështetje të re ushtarake për Ukrainën

"Ne jemi të bashkuar në ndjekjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, në respekt të plotë të sovranitetit të Ukrainës dhe aspiratave legjitime të popullit të saj", thanë ministrat

Necva Taştan Sevinç  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë mbështetje të re ushtarake për Ukrainën

Istanbul

Ministrat e Mbrojtjes nga vendet nordike dhe baltike, së bashku me ministrin e Jashtëm të Islandës, njoftuan sot një kontribut të përbashkët prej 500 milionë dollarësh për nevojat ushtarake të Ukrainës, transmeton Anadolu.

Pas një takimi në Helsinki, ministrat e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë dhe Suedisë, së bashku me ministrin e Jashtëm të Islandës lëshuan deklaratë të përbashkët duke theksuar se siguria e Ukrainës është "themelore për sigurinë evropiane".

"Ne jemi të bashkuar në ndjekjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, në respekt të plotë të sovranitetit të Ukrainës dhe aspiratave legjitime të popullit të saj", thanë ministrat.

Vendet janë të përkushtuara për të ofruar mbështetje ushtarake afatgjate, të parashikueshme dhe të koordinuar, përfshirë zhvillimin e kapaciteteve, bashkëpunimin mbrojtës-industrial dhe forcimin e aftësisë së Ukrainës për të penguar agresionin e ardhshëm rus.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, grupi njoftoi një kontribut prej 500 milionë dollarësh për iniciativën e Listës së Kërkesave të Prioriteteve të Ukrainës (PURL), mekanizëm që mundëson blerjen e pajisjeve kritike të mbrojtjes të prodhuara në SHBA për Ukrainën.

Ministrat thanë se paketa do të "kontribuojë drejtpërdrejt në rezistencën dhe mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus", duke shtuar se iniciativa është një nga shumë mënyrat se si vendet nordike dhe baltike vazhdojnë të mbështesin Kievin.

Duke dënuar pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, deklarata thekson se "Lufta e Moskës është kërcënim afatgjatë për sigurinë evropiane, komunitetin transatlantik dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla".

"Ne nuk do ta lejojmë që ajo të ketë sukses. Siguria e Ukrainës është e lidhur drejtpërdrejt me tonën", thanë ministrat.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.