Bota

Vendet anëtare të OKB-së dhe OJQ-të kritikojnë kërcënimet e Trump-it

“Është imorale të mendosh se mund të blihen votat e vendeve anëtare. Ne nuk do të frikësohemi. Ju mund të jeni të fortë, por kjo nuk ju bën të drejtë”, tha ministri i Jashtëm turk

Merve Aydoğan  | 22.12.2017 - Përdıtësım : 22.12.2017
Vendet anëtare të OKB-së dhe OJQ-të kritikojnë kërcënimet e Trump-it

Washington

WASHINGTON (AA) – Me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) që miratoi një rezolutë duke refuzuar njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, vendet anëtare vazhdojnë të reagojnë kundër kërcënimit të SHBA-ve për shkutimin e ndihmës financiare ndaj atyre të cilat do të votonin në favor, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesit e përhershëm të Pakistanit, Indonezisë, Bangladeshit, Kubës, Venezuelës dhe Malajzisë e përshkruan vendimin e SHBA-ve për Kudsin si “të papranueshëm”, ndërsa përfaqësuesit tjerë theksuan se SHBA-të ishin “duke u përpjekur të blejnë vota nga vendet anëtare”.

Komentet e ministrit turk të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, para votimit, morën mbështetje të fuqishme në Asamblenë e Përgjithshme. Kërcënimet e SHBA-ve për shkurtimin e ndihmave të zhvillimit, Çavuşoğlu i quajti “të papranueshme” dhe “imorale”.

“Është imorale të mendosh se mund të blihen votat e vendeve anëtare. Ne nuk do të frikësohemi. Ju mund të jeni të fortë, por kjo nuk ju bën të drejtë”, tha ministri i Jashtëm turk.

Përfaqësuesi i përhershëm i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, i bëri thirrje SHBA-ve t’i japë fund provokimeve të saj në OKB, duke u shprehur se “bota nuk është për shitje”.

- "Pjesa tjetër e botës qeshet me ne" -

Vota në AP të OKB-së është mbuluar në mënyrë të konsiderueshme nga mediat e SHBA-ve. The New York Times, për shembull, përdori titullin për mbulimin e votës “Duke sfidiuar Trump-in, AP-OKB dënon dekretin e SHBA-ve për Kudsin”.

Artikulli i The New York Times theksoi se kërcënimi i administratës së SHBA-ve “për shkurtimin e ndihmës financiare” nuk u mor parasysh dhe se shumica e aleatëve tradicional të SHBA-ve u bashkuar kundër Trump-it.

Një artikull i titulluar “OKB zëshëm hedh poshtë vendimin e SHBA-ve për Kudsin në vërejtje të theksuar”, që u publikua në Washington Post, gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj kërcënimeve të hedhura nga Trump dhe Nikki Haley, Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB.

Një numër figurash të shquara amerikane, poashtu shprehën kritikat e tyre për qëndrimin zyrtar të SHBA-ve për votimin e Kudsit.

John Brennan, ish-drejtor i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), përmes llogarisë së tij në Twitter, tha se: “Kërcënimi i administratës së Trump-it për t’u hakmarrë ndaj kombeve që ushtrojnë të drejtën sovrane në OKB për të kundërshtuar pozicionin e SHBA-ve mbi Kudsin është përtej përbuzjes. Kjo tregon që Trump pret besnikëri të errët dhe nënshtrim nga të gjithë, cilësi që zakonisht gjenden te një narcisist autokrat hakmarrës”.

Komentet e ish-kreut të CIA-s menjëherë morën numër të madh të “pëlqimeve” dhe u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale.

Phil Mudd, një ish-analist në Qendrën Anti-terroriste të CIA-s, mbrëmë u shfaq në CNN, ku kritikoi ashpër administratën e Trump-it, duke theksuar: “Unë mendoj se pjesa tjetër e botës na qesh... 128 vende thanë se ne jemi një grup idiotësh”.

Përveç reagimeve të vendeve anëtare të OKB-së, përfaqësuesit e komuniteteve muslimane amerikane, poashtu drejtuan kritikat e tyre të forta në administratën e SHBA-ve.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), Nihad Awad, lëshoi një deklaratë me shkrim, ku tha se aministrata e Trump-it mori një “mësim diplomacie” në AP të OKB-së dhe një aleancë e fortë kundër tij doli në favor të çështjes palestineze.

Awad tha se kërcënimet “për të shkurtuar ndihmat financiare” ishin një hap i gabuar dhe tha se ata ishin të lumtur të shihnin këtë hap të dështojë.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Amerikan të Organizatave Muslimane (USCMO), Oussama Jammal, tha për AA se miratimi i rezolutës së OKB-së për Kudsin ishte “premtues” për paqen në Lindjen e Mesme.

“Ne poashtu jemi të lumtur që shohim se kërcënimet e SHBA-ve nuk patën sukses. Shpresojmë që SHBA të tërheq vendimin e saj dhe të dëgjojë atë që pjesa tjetër e botës ka për të thënë”, tha Jammal për AA.

AP e OKB-së miratoi rezolutën e cila hedh poshtë njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, duke i bërë thirrje administratës së Trump-it që të ndryshojë qëndrimin e saj.

Gjithsej 128 anëtarë votuan në favor të rezolutës për Kudsin, 9 vende votuan kundër dhe 35 të tjerë abstenuan. Ndërsa 21 shtete nuk votuan.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të mërkurën kërcënoi për shkurtimin e ndihmës për vendet që votuan në favor të rezolutës së Kudsit.

Në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha: “Ata marrin qindra miliona dollarë dhe madje edhe miliarda dollarë, dhe më pas, ata votojnë kundër nesh. E pra, ne jemi duke i shikuar këto vota. Le të votojnë kundër nesh. Ne do të kursejmë shumë. Nuk na intereson”.

“Por, kjo nuk është sikur të ishte aty ku ata mund të votonin kundër jush dhe pastaj ju u paguani qindra miliona dollarë”, shtoi Trump.

Ligji ndërkombëtar e sheh Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor si “territor të pushtuar” dhe i konsideron të gjitha vendbanimet hebraike atje si të paligjshme.

Kudsi mbetet në zemër të konfliktit të Lindjes së Mesme, me palestinezët duke shpresuar që Kudsi Lindor mund të shërbejë përfundimisht si kryeqytet i një shteti të pavarur.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.