Vazhdojnë protestat masive në Liban përkundër reformave qeveritare
Në takimin e zhvilluar midis ish-kryeministrit të Libanit, Saad Hariri, Hezbollahut dhe Lëvizjes Amal, u emërua kryeministri i ri

Bejrut
Protestuesit në Liban dolën nëpër rrugë në shumë qytete përkundër marrëveshjes së fundit për të emëruar kryeministrin e ri, raporton Anadolu Agency (AA).
Të enjten, ish-ministri i financave të Libanit, Mohammed al-Safadi u emërua për kryeministër të ri të vendit gjatë një takimi midis ish-kryeministrit Saad Hariri, Hezbollahut dhe Lëvizjes Amal.
Presidenti i Libanit, Michel Aoun, pritet të bëjë thirrje për konsultime të detyrueshme parlamentare për të nominuar kryeministrin e ardhshëm i cili do të formojë qeverinë e re.
Protestuesit rihapën rrugën në zonën Khalde në Bejrutin jugor pasi në mëngjes e kishin bllokuar me goma të djegura.
Protestuesit gjithashtu u mblodhën para Pallatit të Drejtësisë në Bejrut, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar të enjten e kaluar.
Në fund të muajit tetor, Aoun njoftoi se do të ndryshonte qeverinë dhe do të zgjidhte ministrat në bazë të përvojës, e jo sipas përkatësisë së tyre politike.
Megjithatë, protestat vazhduan, me protestuesit që thonë se kjo nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës.
Protestat masive kapluan Libanin muajin e kaluar kundër planeve për të vendosur taksa për thirrjet në WhatsApp dhe shërbimet tjera për mesazhe.
Protestat shumë shpejt u shndërruan në ankesa më të gjera me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë libaneze dhe kërkesat për llogaridhënie për zyrtarët e korruptuar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.