Bota

Ushtria Kombëtare Siriane pengon një përpjekje të infiltrimit

Forcat e regjimit pësuan humbje të mëdha, thonë burime të Ushtrisë Kombëtare Siriane

Burak Dağ  | 15.01.2021 - Përdıtësım : 17.01.2021
Ushtria Kombëtare Siriane pengon një përpjekje të infiltrimit

Ankara

Ushtria Kombëtare Siriane (SNA) ka parandaluar një përpjekje infiltrimi nga forcat speciale ruse dhe forcat e regjimit të Bashar al-Assadit në vijat e frontit në jug të Idlibit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve të SNA-së, forcat në fjalë kryen një operacion natën vonë për t'u infiltruar brenda pozicioneve të SNA-së në fshatin Hama. Në përgjigje të përpjekjes së infiltrimit, SNA kreu sulme artilerie dhe me raketa mbi pozicionet e regjimit në fshatin Fattira të zonës rurale Hama.

Forcat e regjimit, të cilat pësuan humbje të mëdha, u detyruan të tërhiqeshin pas kundërpërgjigjes së SNA-së. Burimet gjithashtu thanë se janë plagosur edhe disa ushtarë rusë.

Forcat ruse kishin provuar gjithashtu një sulm të ngjashëm në 11 janar, duke përdorur dronë, të ndjekura nga bomba ndriçuese, sipas burimeve.

Gjatë bisedimeve të zhvilluara nga Turqia, Rusia dhe Irani në kryeqytetin e Kazakistanit, Nur-Sulltan, i njohur gjithashtu si procesi i Astana, në maj të vitit 2017, u shpallën katër zona të de-eskalimit në Idlib dhe disa rajone në provincat fqinje Latakia, Hama dhe Halep, si dhe në pjesët veriore të provincës Homs, rajoni Ghouta Lindore në kryeqytetin Damask, qytetet Daraa dhe Quneitra.

Por forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, duke shkelur armëpushimin, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Megjithatë, forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë zona në rajonin e de-eskalimit Idlib.


Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në Moskë.

Përkundër shkeljeve të kohëpaskohshme nga ana e forcave të regjimit, armëpushimi respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.