Bota

Ushtria e Mianmarit hap zjarr ndaj protestuesve në Bago, 20 të vrarë

"Media lokale deri më tani ka konfirmuar 20 humbje të jetëve por civilët me të cilët kemi kontaktuar në rajon pretendojnë për të paktën 60 të vdekur", tha aktivistja Keren Khin

Ömer Faruk Yıldız  | 10.04.2021 - Përdıtësım : 10.04.2021
Ushtria e Mianmarit hap zjarr ndaj protestuesve në Bago, 20 të vrarë

Kuala Lumpur

Të paktën 20 civilë e kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga ushtria në protestat e zhvilluara në qytetin Bago kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga lajmet në shtypin e Mianmarit, mësohet se ushtarët në zonën Ma Ga Dit të rajonit Bago kanë hapur zjarr ndaj protestuesve të cilët kanë vazhduar protestën e tyre pavarësisht paralajmërimeve të bëra.

Sipas dëshmitarëve në ngjarje janë vrarë të paktën 20 civilë dhe se ushtarët trupat i kanë mbledhur në një tempull budist në zonë.

Aktivistja Keren Khin, e cila ka folur për AA tha se "Media lokale deri më tani ka konfirmuar 20 humbje të jetëve por civilët me të cilët kemi kontaktuar në rajon pretendojnë për të paktën 60 të vdekur. Kemi dëgjuar se konfliktet kanë vazhduar deri në mesnatë dhe se trupat e civilëve të vrarë janë fshehur në mjetet ushtarake".

Ajo theksoi se ushtria ka përdorur armatime të rënda kundër civilëve. "Mijëra qytetarë në zonë kanë braktisur shtëpitë e tyre. Kemi marrë informacionin se edhe shumë të tjerë në rajonin Bago janë duke u larguar nga shtëpitë e tyre", tha Khin.

"Numri i të vdekurve mund të rritet brenda ditës. Junta ndodhet në situatë mjaft të vështirë përballë armatosjes së protestuesve dhe me kalimin në veprim të grupeve etnike kundër ushtrisë. Për këtë arsye duke rritur me sa mundet dhunën junta synon të shtypë protestuesit", shtoi Khin.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Si pasojë e ndërhyrjes me armë ndaj protestuesve nga forcat e sigurisë, në Mianmar kanë humbur jetën 618 persona.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın