Bota

Turqia shpreh shqetësim mbi planet e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja

"Është e qartë se Izraeli po përpiqet të parandalojë krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez me integritet gjeografik dhe të eliminojë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete me këto aktivitete të vendbanimeve", shtoi ministria turke

Sena Güler  | 12.01.2021 - Përdıtësım : 13.01.2021
Turqia shpreh shqetësim mbi planet e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja

Ankara

Turqia shprehu shqetësim në lidhje me planet e Izraelit për të ndërtuar vendbanime të reja të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar të Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Masa është shembulli i fundit i praktikave të paligjshme të Izraelit që u përshpejtua përpara se administrata e re të merrte detyrën në SHBA", njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.

"Është e qartë se Izraeli po përpiqet të parandalojë krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez me integritet gjeografik dhe të eliminojë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete me këto aktivitete të vendbanimeve", shtoi ministria turke.

Ministria i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të tregojë "presionin e nevojshëm" ndaj Izraelit për t'i dhënë fund akteve të tilla, të cilat nuk marrin parasysh ligjin ndërkombëtar, veçanërisht rezolutat e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më tej, po ashtu i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të kundërshtojë veprimet agresive të Izraelit kundër palestinezëve.

Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, miratoi ndërtimin e 800 njësive të reja të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

"Ne jemi të lumtur të njoftojmë sot se 800 njësi të reja janë ndërtuar në Judea dhe Samaria", njoftoi Netanyahu në rrjetet sociale.

Vendimi i të hënës erdhi para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden, më 20 janar.

Presidenti në largim i SHBA-ve, Donald Trump, ka mbështetur aktivitetet e vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor, ndërsa Biden ka shprehur kundërshtim ndaj aktiviteteve gjatë fushatës së tij elektorale.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, konsiderohet si "territor i pushtuar" sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të paligjshme të gjitha vendbanimet hebraike të ndërtuara atje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.