Bota

Turqia propozon reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

"Kjo situatë nuk i shërben asnjë gjëje tjetër përveç se interesave kombëtare të atyre që kanë privilegjin në fjalë. Ajo e bën Këshillin e Sigurimit jofunksional, të papërgjegjshëm dhe jo demokratik, duke ulur besimin në OKB dhe në multilateralizmin"

Betül Yürük  | 21.11.2018 - Përdıtësım : 21.11.2018
Turqia propozon reformimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

New York

KOMBET E BASHKUARA (AA) - Përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Feridun Sinirlioğlu, ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nevojë për reformë për shkak të vendeve anëtare të përhershme që kanë të drejtën e vendosjes së vetos, raporton Anadolu Agency (AA).

"Kjo situatë nuk i shërben asnjë gjëje tjetër përveç se interesave kombëtare të atyre që kanë privilegjin në fjalë. Ajo e bën Këshillin e Sigurimit jo funksional, të papërgjegjshëm dhe jo demokratik, duke ulur besimin në OKB dhe në multilateralizmin. Këshilli i Sigurimit do të jetë më përfaqësues dhe më i ndjeshëm nëse rrisim mundësitë për rritjen e numrit të të përzgjedhurve dhe që të gjitha shtetet anëtare të mund të marrin pjesë në këshill", tha Sinirlioğlu.

Ai ka theksuar nevojën emergjente të një reforme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fjalimin e mbajtur në sesionin me temë "Rritja e përfaqësimit të drejtë dhe rritja e numrit të anëtarëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së", të zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Ne duhet të tregojmë përpjekje për një reformë të Këshillit të Sigurimit, që ai të jetë pasqyra e botës që po ndryshon sot", tha Sinirlioğlu, duke bërë të ditur se këshilli i ristrukturuar duhet të pasqyrojë faktet e kohës.

Më tej, ai theksoi se rezultati i procesit të reformës nuk duhet të krijojë një OKB të pandryshueshme dhe jo progresive, duke shtuar se për këtë është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse ku interesat individuale dhe kombëtare nuk duhet të anashkalojnë interesat e përbashkëta.

"Kjo është mënyra e vetme që Këshilli i Sigurimit të jetë më përfaqësues, më demokratik, më përgjegjës dhe më efektiv", tha Sinirlioğlu, duke theksuar se rezultati i reformës duhet të jetë i pranueshëm nga të gjitha shtetet anëtare.

Këmbëngulja kundër rritjes së numrit të anëtarëve të përhershëm ngadalëson procesin e reformës

Sipas tij, këmbëngulja kundër rritjes së numrit të anëtarëve të përhershëm në Këshill është arsyeja kryesore për mungesën e përparimit në procesin e reformës. Sinirlioğlu tha se përpjekjet për të shtuar anëtarë të përhershëm në Këshillin e Sigurimit me të drejtën e vetos kanë dëmtuar debatet e reformës së Këshillit.

Sinirlioğlu tha se padyshim që në Këshill ka nevojë për reformë për shkak të anëtarësimeve të përhershme që kanë të drejtën e vetos, ku pikërisht për këtë arsye Këshilli shumë herë nuk ka mundur të përmbushë detyrën e tij dhe se shumë herë nuk ka mundur të ndërhyjë ndaj krizave.

"Duhet të kërkohen mënyrat për të diskutuar problemet aktuale të Këshillit të Sigurimit në procesin e reformës. Këshilli i Sigurimit do të jetë më përfaqësues dhe më i ndjeshëm nëse rrisim numrin e të përzgjedhurve në këshill dhe nëse rrisim mundësinë që të gjitha shtetet anëtare të mund të marrin pjesë në Këshill", tha Sinirlioğlu.

Ai gjithashtu vuri në dukje se nëse performanca e shteteve anëtare është subjekt i zgjedhjeve periodike, Këshilli i Sigurimit do të jetë më i përgjegjshëm dhe se duke përmirësuar procesin e vendimmarrjes në një masë të mirë mes anëtarëve të përkohshëm dhe të përhershëm do ta bënte Këshillin më efektiv.

Sinirlioğlu theksoi se Këshillit i Sigurimit i OKB-së duhet të përmbushë misionin e tij si përgjegjës për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shtuar se është koha për të punuar së bashku në procesin e reformës dhe për të arritur një marrëveshje sa më gjithëpërfshirëse të mundshme. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare që të tregojnë vullnet politik dhe fleksibilitet për të lehtësuar procesin e reformave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.