Bota

"Turqia, mbrojtësja e vetme e njerëzve të pashpresë në Siri"

"Mbrojtësja e vetme e njerëzve të pashpresë atje është Turqia e cila javët e fundit ka grumbulluar në rajon mijëra ushtarë, tanke dhe topa"

Kasım İleri   | 27.02.2020
"Turqia, mbrojtësja e vetme e njerëzve të pashpresë në Siri"

Washington

Gazeta amerikane "Washington Post" shkruan se "Turqia është mbrojtësja e vetme e sirianëve të pashpresë" duke theksuar se qeveritë perëndimore nuk kanë bërë asgjë lidhur me çështjen e luftës së brendshme në Siri dhe se lufta në vend po shkon drejt një fatkeqësie tragjike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një kryeartikull të ditës së sotme të gazetës është shkruar mbi krizën humanitare në Idlib. Në shkrimin ku thuhet se qeveritë perëndimore janë mërzitur nga lufta e brendshme në Siri e cila duket se nuk do të përfundojë, potencohet se perëndimi ka tërhequr vëmendjen e saj nga Siria për shkak të polarizimeve brenda axhendës së saj.

Sipas të dhënave të OKB-së që nga dhjetori e deri më tani nga sulmet e regjimit të Asadit dhe ato ruse në Idlib, janë larguar dhe strehuar pranë kufirit të Turqisë 900 mijë refugjatë, ku 500 mijë prej tyre janë fëmijë, thuhet në artikullin e gazetës.

"Mbrojtësja e vetme e njerëzve të pashpresë atje është Turqia e cila javët e fundit ka grumbulluar në rajon mijëra ushtarë, tanke dhe topa. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka kërcënuar me fillimin e një sulmi kundër regjimit të Asadit nëse nuk tërhiqet deri në fund të kësaj jave", thuhet në kryeartikullin ku vihet në dukje se Rusia dhe regjimi i Asadit kryejnë sulme ajrore në mënyrë që të sigurojnë largimin e civilëve dhe të marrin rajonet që janë nën kontrollin e opozitarëve.

Ndër të tjera në artikull rikujtohet se dje në Ankara filluan bisedimet mes Turqisë dhe Rusisë dhe se presidenti Erdoğan dëshiron formimin e një zone të sigurtë në thellësi prej 20 kilometrash e cila përfshin edhe qendrën e qytetit Idlib.

Më tej thuhet se Rusia mund të pranojë propozimin për zonën e sigurtë. "Regjimi i Asadit dëshiron të marrë të gjithë Idlibin pavarësisht kostos lidhur me humbjen e jetëve njerëzore", qëndron në artikull.

"Rusia nuk ka mbajtur premtimin e saj për të kontrolluar Asadin. Për këtë arsye SHBA-të dhe vendet e Evropës duhet të ushtrojnë presion konkret për të siguruar ndalimin e sulmeve të Putinit, sigurimin e armëpushimit dhe sigurimin e qasjes së ndihmave humanitare në Idlib", thuhet në shkrimin e gazetës "Washington Post".


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın