Bota

Turqia inauguron ndërtesën e re të konsullatës në Pakistan

Duke u adresuar në ceremoninë e inaugurimit, Çavuşoğlu tha se ndërtesa e re është një simbol i miqësisë Turqi-Pakistan, që do të forcohet më tej në ditët e ardhshme

Ekip   | 14.01.2021
Turqia inauguron ndërtesën e re të konsullatës në Pakistan

Karaçi

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka inauguruar ndërtesën e re të konsullatës së vendit të tij në kryeqytetin tregtar të Pakistanit, Karachi, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke u adresuar në ceremoninë e inaugurimit, Çavuşoğlu tha se ndërtesa e re është një simbol i miqësisë Turqi-Pakistan, që do të forcohet më tej në ditët e ardhshme.

Duke vlerësuar punën e arkitektëve, kontraktorëve dhe punëtorëve turq dhe pakistanez që ishin pjesë e ndërtimit të ndërtesës së re, ai tha se Konsullata Turke në Karachi do të vazhdojë të luajë rolin e saj në rritjen e vlerës tregtare të qytetit.

Me një përzierje të arkitekturës turke dhe pakistaneze, në vitin 2017 filloi ndërtimi i ndërtesës.

Çavuşoğlu po ashtu njoftoi se ndërtesa 22-katëshe e Konsullatës Turke në New York, e cila aktualisht është në ndërtim e sipër, do të jetë funksionale në fund të këtij viti.

Duke theksuar vizionin për zhvillim të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, ai tha se vizioni synon të punojë për zhvillimin dhe prosperitetin jo vetëm të Turqisë, por edhe të vendeve mike të saj.

Ambasadori i Turqisë në Pakistan, İhsan Mustafa Yurdakul dhe konsulli i përgjithshëm në Karachi, Tolga Uçak, po ashtu ishin të pranishëm në ceremoni.

Çavuşoğlu, i cili qëndron për një vizitë dy-ditore në Pakistan, po ashtu vizitoi mauzoleun e Muhammad Ali Jinnah, themeluesit të këtij shteti, në Azinë Jugore, si dhe vendosi kurorë lulesh në varrin e tij.

"Me respekt dhe mëshirë përkujtoj Quaid-i-Azam Muhammad Ali-Jinnah, një nga arkitektët kryesorë të miqësisë Turqi-Pakistan", shkroi Çavuşoğlu në twitter.

Më herët, kryediplomati turk u takua me guvernatorin e provincës Sindh, Imran Ismail, në Shtëpinë e Guvernatorit, ku siç njoftoi Televizioni Shtetëror i Pakistanit diskutuan bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit, shëndetësisë, shkencës, teknologjisë dhe në atë të tregtisë.

Çavuşoğlu tha se populli turk ka një vend të veçantë në zemrat e popullit pakistanez pasi Turqia dhe Pakistani kanë qëndruar gjithmonë së bashku në kohë sfiduese.

Të dy kombet, shtoi ministri turk, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të gjitha çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Ismail, nga ana e tij, falënderoi Ankaranë për mbështetjen e saj të gjatë për Islamabadin në çështjet e Kashmirit, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm për zhvillimin e shëndetësisë, arsimit, strehimit, kulturës dhe sektorëve të tjerë në Pakistan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın