Bota

"Turqia do të zbatojë planet e saj nëse marrëveshja për zonën e lirë dështon"

Erdoğan kërkoi "mbështetje konkrete" nga vendet evropiane në lidhje me Idlibin dhe zonën e sigurt në lindje të Eufratit, duke thënë se Turqia nuk ka më nevojë për fjalë

Sibel Morrow, Havva Kara Aydin  | 18.09.2019 - Përdıtësım : 19.09.2019
"Turqia do të zbatojë planet e saj nëse marrëveshja për zonën e lirë dështon" ( Mustafa Kamacı - Anadolu Agency )

Ankara

Turqia do të zbatojë planet e veta të veprimit nëse brenda dy javësh nuk ka rezultate nga marrëveshja me SHBA-në për zonën e sigurt në Siri, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e presidentit Erdoğan erdhën gjatë një ceremonie të nisjes së vitit akademik 2019-2020 në Qendrën Kombëtare të Kongreseve dhe Kulturës të Beştepe-së në Ankarë.

"Nëse brenda dy javëve nuk kemi ndonjë rezultat, atëherë ne do të zbatojmë planet tona të veprimit", theksoi Erdoğan.

Duke iu referuar marrëveshjes midis Turqisë dhe SHBA-së për formimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë për të mundësuar kthimin e sirianëve të zhvendosur, Erdoğan tha se "Dy ose tre milionë refugjatë sirianë në Turqi dhe Evropë mund të rivendosen në zonën e sigurt në lindje të Eufratit në Sirinë veriore".

Presidenti turk kërkoi "mbështetje konkrete" nga vendet evropiane në lidhje me Idlibin dhe zonën e sigurt në lindje të Eufratit.

"Turqia nuk ka më nevojë për fjalë", shtoi ai.

"Turqia strehon 3,6 milionë refugjatë. Kjo nuk ka precedent në botë. Edhe Perëndimi duhej të bënte të njëjtën gjë", tha më tej Erdoğan, duke shtuar se "Turqia nuk mund të marrë përsipër përgjegjësinë e katër milionë sirianëve nëse nuk garantojmë paqen në Idlib menjëherë".

Më 7 gusht, zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë ranë dakord të krijojnë një zonë të sigurt në veri të Sirisë dhe një korridor paqeje për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në shtëpi. Ata gjithashtu ranë dakord të krijojnë një qendër të përbashkët operative.

Marrëveshja gjithashtu parashikonte vendosjen e masave të nevojshme të sigurisë për të mënjanuar shqetësimet e Turqisë rreth sigurisë, duke përfshirë pastrimin e zonës nga organizata terroriste YPG/PKK, grup të cilin SHBA e ka cilësuar si aleat nën pretekstin e luftës kundër DEASH-it.

Ankaraja ka akuzuar Washingtonin për zvarritje të procesit dhe përvetësim të një koncepti të ndryshëm për zonën e sigurt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın