Rabia İclal Turan
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani po tregon angazhimin më serioz deri më tani në negociatat me SHBA-në, por ka theksuar se ende nuk ka vendosur nëse do të nisë sulme të mëdha ushtarake kundër vendit, transmeton Anadolu.
“Po bisedojmë me ta pikërisht tani. Mendoj se po bëhen gjithnjë e më serioz me kalimin e ditëve, ndoshta për një arsye të dukshme”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
“Mendoj se janë seriozë. Mendoj se janë, pa dyshim, më seriozët që i kemi parë deri tani. Por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
I pyetur nëse kishte vendosur të ndërmerrte sulme të mëdha ndaj Iranit, Trump u përgjigj: “Jo, nuk kam vendosur”.
“Ne mund ta çojmë këtë në një nivel shumë më të lartë nëse duam dhe jemi të përgatitur ta bëjmë. Jemi plotësisht të gatshëm dhe të përgatitur për të vepruar”, tha ai.
“Ka dy mënyra. Unë e konsideroj atë mënyrën më të mençur, por tjetra ndoshta është më e lehta”, shtoi Trump, duke iu referuar diplomacisë dhe veprimit ushtarak.