Bota

Trump po konsideron bllokimin ose karantinën për Venezuelën

SHBA shton presionin ndaj Nicolas Maduros për t'u tërhequr nga posti

Dilara Hamit   | 02.08.2019
Trump po konsideron bllokimin ose karantinën për Venezuelën

Ankara

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se po konsideron bllokimin e Venezuelës apo vendosjen në karantinë për t'i bërë presion presidentit Nicolas Maduro për t'u tërhequr, raporton Anadolu Agency (AA).

I pyetur nga gazetarët nëse ai po i konsideron masat, duke patur parasysh përfshirjen e Kinës dhe Iranit në Venezuelë, Trump u përgjigj pozitivisht, duke mos dhënë detaje në lidhje me kohën apo mënyrën e zbatimit të veprimeve të tilla.

Administrata e Trumpit po fokusohet në presion ekonomik dhe diplomatik kundër Maduros derisa po i shmanget çdo veprimi ushtarak.

Trump i bëri këto komente përderisa po lëshonte Shtëpinë e Bardhë për një tubim për fushatë.

Venezuela u trondit nga protestat që filluan më 10 janar, kur presidenti Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u rritën më tej kur Guaido shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar, mirëpo Maduro deri më tani ka refuzuar thirrjet për t'u tërhequr nga posti.

Ai ka akuzuar SHBA-të se kanë orkestruar grusht shtet kundër qeverisë së tij, duke thënë se është i hapur për bisedime me opozitën.

SHBA-të kanë udhëhequr një fushatë ndërkombëtare për të zbatuar presion ekonomik dhe diplomatik ndaj Maduros, duke përfshirë edhe sanksionimin e kompanisë shtetërore të naftës dhe një kompani të përbashkët me partnerë nga Nikaragua.

Rusia, Kina, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron.

Spanja, Britania e Madhe, Franca, Suedia, Gjermania dhe Danimarka i janë bashkuar SHBA-ve, Kanadasë dhe disa shteteve të Amerikës Latine dhe kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.